Maqedoni

Sulmi në shtabin e OQM-së, Jakimovski: LSDM mbron krimin, të ndërhyjë PTHP

16.10.2017 18:32

Lideri i partisë Opsioni Qytetar për Maqedoni, Stevço Jakimovski...

Lideri i partisë Opsioni Qytetar për Maqedoni, Stevço Jakimovski, kërkon që personi që sulmoi fizikisht me armë të ftohtë të pranishmit të shtabin zgjedhor të partisë së tij, të përgjigjet penalisht.
 
Jakimovski ka akuzuar LSDM-në për këtë rast, duke thënë se mbron kriminelët, pasi policia ndaj sulmuesit ka ngritur akuzë për kundërvajtje dhe jo padi penale. Ai ka ftuar Prokurorinë Themelore Publike të reagojë për rastin.
 
“Ata që erdhën për t’u rrahur ishin huliganë, ish të burgosur dhe anëtarë të nëntokës. Si mundet LSDM të mos e gjykojë këtë ngjarje? Aq më tepër ndihmon që vepra të jetë kundërvajtje dhe jopenale? Kjo tregon se politika dhe kriminaliteti janë bashkë, se LSDM dhe krimi janë bashkë dhe do të vazhdojnë më tutje të shkaktojnë dhunë”,- deklaroi kryetari i OQM –së, Stevço Jakimovski.
 
Derisa  Jakimovski akuzon për dhunë të ushtruar në shtabin e partisë së tij, në adresë të tij kanë mbërritur akuza nga Komiteti i Helsinkit dhe grupi i LGBT-së, për nxitje të gjuhës së urrejtjes. Sipas tyre, Jakimovski ka degraduar dhe nxitur urrejtjen kundër një grupi të margjinalizuar, duke kryer kështu një krim ndaj shoqërisë.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU