Botë

Portugali, zjarret, 36 viktima, mbi gjashtëdhjetë të lënduar

17.10.2017 09:45

Të paktën 36 persona kanë humbur jetën nga zjarret në Portugali...

63 persona kanë pësuar dëmtime nga djegiet, teksa përpiqeshin t’i shpëtonin stuhisë së zjarrtë që assesi të vihet nën kontroll. 15 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
 
Policia dhe ekipet e shpëtimit janë në kërkim të dhjetëra njerëzve që konsiderohen të zhdukur.
 
72 mijë hektarë pyje janë shkrumbuar tërësisht, 145 vatra zjarri janë aktive që nga e shtuna. Qindra shtëpi e biznese janë shkatërruar, fshatra e qyteza të tëra janë evakuuar. 
 
“Rrugët janë të bllokuara, sistemi drejtues i makinës nuk funksionon dhe nuk dimë nga të kalojmë. Për pak sa nuk mbetëm në mes të zjarreve”,- theksoi një banor.
 
“Nëse nuk evakuohemi menjëherë, mund të vdesim. Shtëpisë i kanë mbetur vetëm muret e djegura”,- tha një banor.
 
“Flakët ishin të tmerrshme, zjarrfikësit nuk bënin dot asgjë dhe ne u larguam”,- u shpreh një banor.  
 
“Unë jetoj këtu prej 16 vjetësh, humba shtëpinë dhe punën, është e tmerrshme”,- u shpreh një banor. 
 
“Jam në shok, i gjithë fshati është djegur, nuk ka mbetur asgjë”,- potencoi një banor.   
 
Zjarrfikësit e kanë më të lehtë punën vetëm gjatë natës, kur temperaturat bien dhe flakët ulin fuqinë.
 
Moti jashtëzakonisht i ngrohtë për sezonin vetëm vështirëson punën e ekipeve të zjarrfikësve dhe vullnetarëve.
 
Portugalia është përballur me temperaturë përvëluese gjatë gjithë verës, të cilat shkaktuan vdekjen e 64 personave, por edhe me ardhjen e stinës së freskët, temperaturat në këtë vend nuk po ulen dhe aktualisht janë 30 gradë celsius.
 
Shteti është në gjendje emergjence dhe autoritetet kërojnë ndihmë nga partnerët evropianë, pasi vetë e kanë të pamundur të përballen me situatën. 
 
GAZMEND REXHEPI