Maqedoni
Rama takon kryeministrin Zaev dhe liderët shqiptarë
17.10.2017 13:23
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, mbrëmë në Shkup ka takuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama...

Dy kryeministrat kanë shprehur angazhimet për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe për sigurimin e kushteve për integrime euroatlantike në mbarë rajonin.
Siç kumtoi shërbimi për informim i Qeverisë, Rama, i cili po merr pjesë në Samitin 100 në Shkup, gjatë takimit, e ka uruar kryeministrin Zaev për zbatimin e zgjedhjeve lokale demokratike.
“Rezultatet nga zgjedhjet janë erë në kurriz për agjendën demokratike, si dhe mbështetjen e politikave reformuese që hapin perspektiva. Ato janë fitore e konceptit një shoqëri për të gjithë, që i bashkoi qytetarët. Do të bëjmë gjithçka që duhet që ta arsyetojmë besimin dhe të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”,- citohet të ketë deklaruar kryeministri Zaev në takim.
Zaevi dhe Rama konstatuan se Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira politike, pa çështje të hapura, dhe se është kjo bazë e mirë për intensifikim të bashkëpunimit në drejtim të zbatimit të standardeve europiane, bashkëpunimit ekonomik, si dhe sigurimit të kushteve për integrime euroatlantike të të gjithë rajonit.
Në takim janë shqyrtuar mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe është vlerësuar se pjesëmarrja e përbashkët në Samitin 100 në Shkup është dëshmi për vullnetin politik për zhvillim të bashkëpunimit rajonal ekonomik, për ndërlidhje të bashkësive të biznesit, investime të përbashkëta, rrjetëzim dhe ndërlidhje transportuese.
Është shprehur edhe pritje se BE-ja do t’i njohë dhe mbështesë angazhimet e shteteve nga rajoni për thellim të bashkëpunimit të nevojshëm rajonal dhe për integrim në BE, por edhe për nevojat e vetë qytetarëve nga rajoni.
Rama sot ka takuar edhe liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, atë të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën, liderin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasamin dhe atë të PDSh-së, Mendu Thaçin.
