Maqedoni
Sulmi në Kuvend, MPB publikon fotot e tre personave në kërkim. Sulmi ndaj Zijadin Selës, arrestohen edhe 5 persona për tentim-vrasje
17.10.2017 13:38
Pas miratimit nga Prokuroria Themelore Publike, MPB publikoi fotografi për konfirmimin e identitetit të tre personave të involvuar në dhunën në Kuvend më 27 prill...

MPB dhe Prokuroria u bëjnë thirrje qytetarëve të cilët kanë çfarëdo lloj njohurish për personat në fotografi, që menjëherë ta njoftojnë policinë apo Prokurorinë Publike të Shkupit. Njoftimi mund të bëhet në stacionin më të afërt policor, në numrin e telefonit 192, aplikacionin “Paraqit person të dyshuar”, në faqen zyrtare të MPB-së apo të paraqesin në Prokurorinë Publike. Për dhunën në Kuvend më 27 prill, deri më tani janë parashtruar padi adekuate për rreth 20 persona.
Prokuroria Publike paraprakisht kumtoi se po e zgjeron hetimin dhe arrestoi edhe pesë persona për sulmin ndaj deputetit, Ziadin Sela. Mediat maqedonase kanë bërë publike edhe emrat e të arrestuarve, që sipas burimeve të tyre jozyrtare në prokurori, janë: Andrej Micov (22 vjeç), Nikolla Bojminovski (39 vjeç), Aleksandar Janevski - Toshta (57 vjeç), Kosta Dellov (26 vjeç) dhe Stojan Pavlevski - Kobra (51 vjeç).
Për tentimin për vrasje të kreut të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, tashmë janë arrestuar dhe akuzuar Kire Gjorgievski dhe babai i tij. Që të dy gjenden në burgun e Shutkës. Prokuroria paralajmëroi veprime të tjera për konfirmimin e fakteve edhe ndaj personave të tjerë.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
