Botë
Forcat irakiane, ndërhyrje në këshillin provincial në Kirkuk
17.10.2017 13:53
Forcat irakiane kanë hyrë në qytetin e Kirkukut dhe kanë marrë kontrollin e selisë së këshillit provincial, thanë dëshmitarët...
Forcat irakiane kanë hequr flamurin kurd që është ngritur në ndërtesën e guvernatorit në muajin prill, pranë një flamuri irakian. Ata thanë se tani valëvit vetëm flamuri i Irakut.
Përleshjet midis forcave irakiane dhe kurde kanë nisur mëngjesin e së hënës.
Ushtria irakiane ndërhyrë në Kirkukuk tri javë pasi rajoni i Kurdistanit ka mbajtur një referendum për pavarësi. Kirkuku është jashtë territorit të administrimit të qeverisë rajonale kurde, por ka një pjesë të madhe të popullsisë kurde, e cila u lejua që të marrë pjesë në referendumin e pavarësisë tri javë më parë.
Votuesit në procesin e mbajtur më 25 qershor mbështetën fuqimisht shkëputjen nga Iraku dhe shpalljen e shtetit kurd. Bagdadi e quan referendumin antikushtetues, ndërsa drejtuesit kurdë thonë se ishte krejtësisht i ligjshëm.
Lidhur me zhvillimet në Irak kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara, që u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe dialog.
“Ne mbështesim ushtrimin paqësor të të drejtës për administrimin dhe qeverisjen e vendit si nga pushteti qendror ashtu edhe nga qeveritë rajonale në Irak, kur kjo bëhet në përputhje me Kushtetutën irakiane dhe në të gjitha zonat e diskutuara”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Izraeli është shteti i vetëm që përkrah dhe ka njohur pavarësinë e Kurdistanit dhe u ka bërë thirrje vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.
