Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, rrethi i dytë, partitë paralajmërojnë bashkëpunimin. Edi Rama takon liderët shqiptarë në Shkup, bisedohen temat me interes të përbashkët
17.10.2017 14:15
Me përmbylljen e rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, subjektet politike shqiptare po i bëjnë kalkulimet e tyre për rrethin e dytë...

Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela dhe Lëvizja BESA kanë paralajmëruar mundësinë e bashkëpunimit në komunat ku janë futur në balotazh me BDI-në e Ali Ahmetit. Ky i fundit konfirmoi marrëveshjen me Lidhjen social-demokrate, ndërkaq për çdo marrëveshje të re tha se do të njoftojë opinionin me kohë.
“Ne asnjëherë nuk kemi bërë marrëveshje të fshehta dhe nuk do bëjmë. Ne kemi marrëveshje para se të fillojë cikli zgjedhor dhe do të përpiqemi që të prodhojmë klimë pozitive edhe te qytetarët, por edhe një klimë të mirë që të kthehet dhe të materializohet në dobi të qytetarëve por edhe në dobi të stabilitetit në dobi të mirëkuptimit dhe në dobi të proceseve”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Sot unë do të komunikoj edhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën, që të fillojmë bisedimet dhe t’i konkretizojmë mundësitë e bashkëpunimit për balotazh, që në të gjitha ato komuna ku ne shkojmë, të mund t’i maksimizojmë rezultatin zgjedhor”,- tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
“Rezultatet e raundit të parë diktojnë edhe bisedimet që duhet bërë edhe për raundin e dytë. Sovrani foli më 15 tetor dhe ne natyrisht që në veprimet politike do të jemi të bazuar në bazë të mesazhit që e dha sovrani në raundin e parë",- theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Ndërkohë, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, dyshon për manipulim zgjedhor në Strugë dhe, siç tha ai, kandidati i LSDM-së ka kaluar në rrethin e dytë dhe po shqyrton mundësinë për ngritjen e kallëzimit, teksa kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në lidhje me deklarimet për parregullsi zgjedhore, tha se çdo manipulim duhet denoncuar në organet kompetente. Këto komente liderët e partive politike shqiptare i bënë pas një takimi joformal me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shkup, ku do të marrë pjesë në Samitin rajonal “100 liderë në biznes nga Europa Juglindore – Ndërlidhja”.
Ndryshe, në takim është biseduar për situatën politike në Maqedoni dhe rajon, zgjedhjet lokale, sfidat me të cilat përballen dy vendet në rrugën eurointegruese, si dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Në pyetjen e gazetarëve nëse po kurdiset ndonjë platformë e re e Tiranës, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se asnjëherë nuk ka pasur platformë të Tiranës. “Ajo ishte një tezë e shpikur dhe lajm i rrejshëm që për fat të keq zuri vend si e tillë”,- tha ai. “Edhe atëherë ishte bërë një deklaratë politike në Aleksandar Palas, i cili ndodhet në Shkup dhe jo në Tiranë”,- nënvizoi ai.
NAIM RAMADANI
