Botë
“Ofelia” përplaset mbi Irlandë, tre viktima, 360.000 njerëz pa energji elektrike
17.10.2017 14:32
Në Irlandë është verifikuar viktima e tretë për shkak të uraganit “Ofelia”...

Të tre viktimat humbën jetën pasi mbi ta ranë pemët që i shkuli era e fuqishme.
Ishulli i Irlandës është paralizuar tërësisht. Më shumë se 360 mijë banesa e biznese kanë mbetur pa energji elektrike, mbi 1300 të tjera në Irlandën e Veriut, dhe kjo gjendje pritet të zgjasë.
“Të gjitha resurset janë në gatishmëri, gjithashtu dhe ushtria. Janë bërë dëme të mëdha dhe në ditët e ardhshme do të përqendrohemi të kthejmë vendin në gjendje normale. Do na vijnë në ndihmë ekipe edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Irlanda e Veriut. Po punojmë të lidhim energjinë elektrike për të gjithë”,- u shpreh kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar.
Por, edhe përkundër shkatërrimit, ka njerëz që nuk kanë shkuar në strehimore, por kanë dashur të shohin nga afër “Ofelian” dhe fuqinë e saj shkatërruese.
Thonë se një rast i tillë të vjen vetëm një herë në jetë dhe pa marrë parasysh rrezikun ata kanë dalë buzë detit të egërsuar.
“Është gjendje shumë e keqe këtu në port për momentin. Unë erdha të shoh detin nga afër”,- u shpreh banori i zonës, Kevin Aylvard.
“Deti është egërsuar, por dua ta shoh sepse kurrë nuk e kemi parë një stuhi të tillë”,- theksoi banori i zonës, Colin Griffin.
“Unë jam peshkatar dhe jemi mësuar me det të trazuar, por kjo është diçka spektakolare”,- tha peshkatari, Josef Jullena.
Edhe Uellsi e Skocia janë në alarm maksimal si pasojë e stuhisë së fuqishme. Autoritetet britanike u kanë bërë thirrje qytetarëve të largohen nga banesat në zonat e rrezikut.
Uragani “Ofelia” ka shkaktuar viktima edhe jashtë ishujve britanikë.
GAZMEND REXHEPI
