Maqedoni

Varfëria në Maqedoni, 445 mijë qytetarë jetojnë në rrezik

17.10.2017 15:11

Në Maqedoni, 445 mijë njerëz jetojnë në rrezik nga varfëria, ose me më pak se 6500 denarë në muaj...

Sipas të dhënave statistikore, dhjetë për qind prej tyre janë të punësuar, por gjithashtu jetojnë në rrezik varfërie.
 
Familjet me tre ose më shumë fëmijë kanë nivelin më të lartë të varfërisë. Sipas profesoreshës, Maja Gerovska - Miteva, nevoja për të ripërcaktuar masat e mbrojtjes sociale në kombinim me masa të tjera për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në rrezik të varfërisë, janë edhe qëllimet e ditës ndërkombëtare për luftë kundër varfërisë.
 
“Familjet me tre ose më shumë fëmijë kanë shkallën më të lartë të varfërisë, pra 52 për qind e tyre jetojnë në rrezik varfërie. Nga ana tjetër, instrumenti themelor i drejtuar ndaj kësaj kategorie personash, që është ndihma financiare sociale, nuk rritet me numrin e fëmijëve nëse kanë më shumë se tre. Prandaj, nevojitet një ri-përcaktim i intervenimit të kësaj mase”,- deklaroi profesoresha universitare, Maja Gerovska – Miteva.
 
Ndërkohë, zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Elmi Aziri, theksoi se të gjitha përfitimet që shteti i ofron për grupet e rrezikuara sociale dhe qytetarët, duhet të ndjekin rritjen e standardit të jetesës, rritjen e pagës mesatare, koston e jetesës dhe ndihma financiare duhet të përshtatet me këto kritere.
 
Sipas tij, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka identifikuar raste të keqpërdorimit të së drejtës për ndihmë sociale.
 
“Kemi identifikuar raste si ministri kur një person ka marrë dy ose tre ndihma ose të drejtën për ndihma nga MPPS. Konsideroj se në të ardhmen e afërt shumica e rasteve do të identifikohen dhe do pastrohet kjo gjendje”,- u shpreh zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Elmi Aziri.
 
Sipas hulumtimeve  të Katedrës së Sociologjisë, përvojat e vendeve tjera dëshmojnë se sistemi i të drejtë sociale është i ndërlidhur me të drejta të tjera, siç është lehtësimi i shpenzimeve për banim, arsim dhe shëndetësi.
 
FLUTURA LATIFI