Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI, BESA dhe PASh nuk kanë ankesa në KShZ
17.10.2017 16:24
Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja BESA dhe Aleanca për shqiptarët nuk parashohin të parashtrojnë ankesa deri në KShZ...

Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja BESA dhe Aleanca për shqiptarët nuk parashohin të parashtrojnë ankesa deri në KShZ lidhur me rrethin e parë të zgjedhjeve lokale 2017.
Arbër Ademi nga BDI dhe Naim Bajrami nga PASh vlerësojnë se zgjedhjet u zhvilluan në atmosferë të lirë dhe demokratike. Faton Fazliu nga Lëvizja BESA thekson se parregullsitë e vërejtura gjatë procesit zgjedhor janë mënjanuar menjëherë dhe nuk ka vend për parashtrimin e ankesave plotësuese.
“BDI ndan vlerësimin se zgjedhjet kaluan në një atmosferë të qetë, konkrete dhe demokratike, u organizuan zgjedhje kredibile dhe të lira pas një fushate intensive trejavore, e cila po ashtu u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe demokratike. Më meritorët për këtë janë vet qytetarët e RM-së, andaj ne si parti politike nuk kemi planifikuar të parashtrojmë ndonjë ankesë për ndonjë parregullsi eventuale”,- tha Arbër Ademi nga BDI.
“Ankesa konkrete nuk ka për arsye se janë ndërmarrë të gjitha masat gjatë ditës kur edhe i kemi paraqitur parregullsitë. Ka pasur disa vendvotime ku ka votuar një person me dy tre lista dhe menjëherë ato lista janë nxjerrë nga kutitë dhe janë anuluar”,- theksoi Faton Fazliu nga Lëvizja BESA.
“Aleanca për Shqiptarët është e kënaqur nga mbarëvajtja e procesit zgjedhor. Deri tash nuk parashohim të paraqesim ankimime drejtuar Komisionit Zgjedhor, jemi të fokusuar në vazhdimësi të procesit zgjedhor deri në përfundim të rrethit të dytë në ato komuna ku shpresojmë fitore, dhe jemi të bindur se në ato komuna ku ka dalë në Balotash Aleanca, do të korrë fitore më 29 tetor”,- u shpreh Naim Bajrami nga PASh.
Nga PDSh nuk ishin të disponueshëm për të na informuar nëse kjo parti ka paraparë ankesa deri tek KShZ për zgjedhjet lokale të së dielës. Edhe VMRO-DPMNE po shqyrton se në cilat vendvotime ka nevojë për t’u ankuar.
Në mesnatë skadon afati për dorëzimin e ankesave dhe padive për zgjedhjet lokale.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
