Maqedoni

Në mesnatë mbaron afati për ankesa, në KShZ vetëm një ankesë

17.10.2017 16:48

Në mesnatë mbaron afati për dorëzimin e ankesave për procesin zgjedhor në zgjedhjet lokale të 15 tetorit...

Nga dita e zgjedhjeve deri tani KShZ ka pranuar 49 ankimime. 48 prej tyre janë shqyrtuar dhe për to janë marrë vendime, në ndërkohë po shqyrtohet ankesa e Aleancës për Shqiptarët për zgjedhjet në Gostivar.
 
Përkatësisht, Aleanca kërkon që të shpall të pavlefshme zgjedhjet në vendvotimin 387/1, me arsyetimin se në ditën e votimit nënkryetarja e komisionit, Monika Naumovska, me gabim i ka dhënë një votuesi dy fletëvotime për këshill komunal dhe asnjë fletëvotim për kryetar komune.
 
Aleanca kërkon që votimi të përsëritet nëse numri i përgjithshëm i votuesve që kanë votuar në atë vendvotim ndikon në rezultatin e përgjithshëm.    
 
Megjithatë, zëdhënësja e KShZ-së, Arjeta Xhemaili, thotë se numri i ankesave mund të ndryshojë, pasi, sipas saj, është praktikë që partitë të dorëzojnë ankesa në orët e fundit para mbarimit të afatit.
 
“Deri në orën 16, në arkivin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ka arritur vetëm një ankesë nga ana e Aleancës për Shqiptarët, mirëpo dëshirojmë të rikujtojmë se në bazë të Kodit Zgjedhor prej shpalljes së rezultateve finale partitë politike kanë të drejtë të parashtrojnë ankesat e tyre në afat prej 48 orëve dhe ky afat skadon në orën 24 në ditën e sotme”,- tha Xhemaili. 
 
Ndryshe, KShZ, edhe ditën e zgjedhjeve ishte në punime të vazhdueshme dhe shqyrtonte ankimimet si nga këshillat komunal po ashtu edhe nga qytetarët. Vendimet dhe udhëzimet u dorëzoheshin palëve dhe njëkohësisht publikoheshin në ueb faqen e KShZ-së.
 
SHPËTIM NUREDINI