Maqedoni

Përmbyllet “Samiti 100” në Shkup, liderët e Ballkanit dhanë mesazhe bashkëpunimi

17.10.2017 17:42

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, zbatimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore do të mundësoj që vendet e Ballkanit Perëndimor...

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, zbatimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore do të mundësoj që vendet e Ballkanit Perëndimor të përafrohen në nivelin e shteteve europiane, u tha gjatë panel-diskutimit të katër kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Shkup. 
 
Sektori i biznesit privat është ai që duhet të lëviz rajonin e Ballkanit Perëndimor përpara, tha kryeministri, Zoran Zaev. Sipas tij, ekonomia do të kontribuojë që Ballkani të mos jetë më fuçi baruti.
 
“Unë pajtohem se rajoni  shumë gjatë është duke pritur për hyrjen në Bashkimin Europian, por gjithashtu pajtohem se që të gjithë duhet të ndërmarrim hapa për të hyrë. Ky mesazh i unitetit që dërgojmë këtu në komunitetin e biznesit është se ne jemi këtu për të ndihmuar. Shpresoj që njerëzit e biznesit do ta përdorin këtë unitet që e tregojnë qeveritë e vendeve të rajonit. Europën duhet ta sjellim në rajon, sepse vetëm atëherë do të na lejojë hyrjen”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, paralajmëroi se mund të pritet lidhje infrastrukturore midis Shkupit dhe Tiranës. “Rruga e Arbërit do të filloj shumë shpejt, pasi jemi në fazën finale për të përcaktuar fituesin dhe për të lidhur kontratën”,- informoi Rama. Sipas Ramës, për t’u anëtarësuar në BE nevojitet që vendet e rajonit të sillen në mënyrë europiane. Është bërë progres i mjaftueshëm në planin akcional të Procesit të Berlinit, por ende ekzistojnë pengesa tradicionale që i kanë këto shtete ndërmjet vete. 
 
“Kur e filluam Procesin e Berlinit, e kemi ditur se do të ketë pengesa dhe mangësi, por kur e shohim sot, vërejmë se ka progres. Një nga  poentat kryesore është që ky plan akcional në secilin shtet duhet të ndryshojë mënyra e komunikimit me të tjerët. Para se ta fitojmë anëtarësinë në BE, duhet që t’i lëmë anash pengesat tradicionale dhe të mundësojmë energji të re të bashkëpunimit përmes takimeve dhe marrëveshjeve”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zvizdiq, tha se afaristët në rajon duhet të bëjnë presion të përhershëm dhe agresiv ndaj qeverive për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që ekonomitë e të gjitha vendeve të Ballkanit të mund të lidhen. 
 
Ndërkohë, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, tha se reformat që duhet t’i bëjnë shtet e Ballkanit Perëndimor në aspektin ekonomik janë stabiliteti makroekonomik, reformat strukturore dhe niveli më i madh i bashkëpunimit ekonomik.   
 
“Kemi pasur idenë në Sarajevë të krijohet një dhomë e përbashkët tregtie të vendeve të Ballkanin Perëndimor, për t'i lidhur kompanitë që të mund të shkëmbejnë  ide për bashkëpunim. Lidhja ekonomike e vendeve në rajon nuk ka të bëjë me rrugën individuale të secilit vend për anëtarësim në Bashkimin Europian. Është i nevojshëm  rrjet komunikimi midis të gjitha vendeve në të gjitha nivelet, si ekonomikisht ashtu edhe arsimor”,- tha kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
 
“Për ta kompensuar hendekun në krahasim me vendet tjera në zhvillim, ne këtu në rajon duhet të jemi të aftë për të marrë vendime dhe të qëndrojmë pas tyre, të gjithë bashkërisht të ndajmë një angazhim të tillë”,- tha kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç.
 
Në “Samit 100” marrin pjesë mbi 150 liderë të biznesit, katër kryeministra dhe shumë personalitete tjera diplomatike. Lidhshmëria ekonomike ka qenë moto e këtij samiti, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet shteteve. 
 
ERSAN PAJAZITI