Maqedoni
Sulmi ne Kuvend, arrestohen tre personat që kërkoheshin përmes fotove
17.10.2017 21:10
MPB ka arrestuar tre personat e involvuar në dhunën në Kuvend më 27 prill për identifikimin e të cilëve kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve...

Nga policia thonë se njëri prej tyre është arrestuar në lagjen Krom në Shkup, të cilin qytetarët e njohën pikërisht nga fotografitë që mediat bënë publike sipas udhëzimeve të policisë.
Për dhunën në Kuvend më 27 prill, deri më tani janë parashtruar padi adekuate për rreth 20 persona.Prokuroria Publike paraprakisht kumtoi se po e zgjeron hetimin dhe arrestoi edhe pesë persona për sulmin ndaj deputetit, Ziadin Sela. Mediat maqedonase kanë bërë publike edhe emrat e të arrestuarve, që sipas burimeve të tyre jozyrtare në prokurori, janë: Andrej Micov (22 vjeç), Nikolla Bojminovski (39 vjeç), Aleksandar Janevski - Toshta (57 vjeç), Kosta Dellov (26 vjeç) dhe Stojan Pavlevski - Kobra (51 vjeç).
Për tentimin për vrasje të kreut të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, tashmë janë arrestuar dhe akuzuar Kire Gjorgievski dhe babai i tij. Që të dy gjenden në burgun e Shutkës. Prokuroria paralajmëroi veprime të tjera për konfirmimin e fakteve edhe ndaj personave të tjerë.
