ISIS-i humb kryeqytetin, bie Raqqa - qendra e organizimit të sulmeve
Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara e shpallën të mbyllur operacionin ushtarak kundër ISIS-it në Raqqa...

Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara e shpallën të mbyllur operacionin ushtarak kundër ISIS-it në Raqqa e tani janë përqendruar tek pastrimi i celulave të fjetura të militantëve, por dhe të atyre të minave.
Zyrtarët amerikanë ende nuk e kanë njoftuar zyrtarisht fitoren, megjithatë ky zhvillim shënon një moment vendimtar në luftën kundër “Shtetit Islamik”, e ndoshta, në terma realë e të prekshëm ushtarakë, edhe fundin e saj.
Mosuli në Irak është qyteti me popullsinë më të madhe që ekstremistët arritën të vënë nën kontroll, por Raqqa ishte qendra e tij e pushtetit, i pari qytet i rëndësishëm që morën në Siri dhe vendi që grupi i terrorit e shpalli kryeqytetin e vet.
Kur xhihadistët vërshuan atje në fundin e vitit 2013, kishte qenë prej dekadash një oazë laik të përfshirë më pas nga kaosi i luftës civile. ISIS-i e vuri shumë shpejt vulën e tij të shëmtuar me ekzekutime publike, përfshirë prerjet e kokave.
Raqqa u kthye ngadalë në qendrën e vet të operacioneve globale, spitali i saj qendror dhe stadiumet shërbenin si zyra për militantët që planifikonin sulmet mbi shënjestrat e huaja.
Tanimë, ISIS-i do të ekzistojë, sipas ekspertëve, si një rebelim kaotik, i përndjekur në vendet ku do të kërkojë të fshihet mes simpatizantëve të tij.
