“Giffoni” – Maqedoni fillon me një premierë në shqip, 700 pjesëmarrës
Në pesë ditët e ardhshme, Maqedonia do të kthehet....

Në pesë ditët e ardhshme, Maqedonia do të kthehet në një arenë të rëndësishme të filmave të regjisorëve të rinj.
Edicioni i pestë i festivalit të filmit “Giffoni” - Maqedoni, fillon me premierën e filmit “Gjuajtësi i mizave”, nga regjisori shqiptar, Izer Aliu, një film ky i kualifikuar edhe në festivalin e filmit në Toronto, i xhiruar me një buxhet prej 0 denarësh në Kondovë. Në edicionin e sivjetmë marrin pjesë 700 pjesëmarrës nga 12 shtete europiane, mosha e regjisorëve të paraqitur për konkurrim është prej 9 – 18 vjeç, mes të cilëve spikat edhe Hanis Bagazhov, regjisori më i ri në moshë nga Maqedonia. Për organizatorët është befasues pikërisht talenti i të rinjve nga Maqedonia.
“Djemtë dhe vajzat që vijnë nga Maqedonia e marrin pjesë në Giffoni, me të vërtetë janë gjithnjë më specialë dhe gjithmonë të dallueshëm në mesin e mijëra të rinjve nga 50 shtete të botës. Ata janë pjesëmarrës aktivë në diskutime, madje kur nuk ua shohim duart e ngritura, janë në gjendje të ngrenë edhe këmbët. Janë shumë më të dallueshëm në inteligjencë, në përgatitje dhe në anglishten e tyre perfekte”,- u shpreh drejtori i Festivalit të Filmit “Giffoni”, Klaudio Ubitoza.
I pranishëm në preskonferencë, ambasadori italian në Maqedoni, Karllo Romeo, theksoi mbështetjen institucionale që pritet të ketë edhe në të ardhmen festivali “Giffoni” në Maqedoni.
““Gifffoni” forcon lidhjet kulturore mes Maqedonisë dhe Italisë, për këtë arsye ambasada jonë e mbështet iniciativën dhe gjithë kjo do të ketë mbështetjen e institucioneve të Maqedonisë, para së gjithash të Ministrisë për Kulturë. Në takimin e fundit me zëvendësministrin, Vladimir Lazovski, treguam vullnet që projekti të vazhdojë dhe të arrihet qëllimi që Xhifoni - Maqedoni të bëhet qendra rajonale”,- theksoi ambasadori i Italisë në RM, Karllo Romeo.
Festivali “Giffoni” deri tani ka përfshirë miliona të rinj nga e gjithë bota. Ai organizohet në 32 shtete, përshirë Japoninë, Indinë dhe Korenë. Pjesë e festivalit së shpejti pritet të jetë edhe Tirana, ndërkohë që në tre vitet e ardhshme Qendra e “Giffonit” mbetet Maqedonia. (Arlinda Baftiu, TVM2)
