Rasti “Sopoti”, PPS: Dëshmi në CD, bisedë Jankullovska-Mijallkov; Bajrami: Më keqtrajtuan, fytyrat nuk ua harroj kurrë
Ramadan Bajrami, dëshmitari krucial, mbi bazën e të cilit bazohet akuza në rastin “Sopoti”....

Ramadan Bajrami, dëshmitari krucial, mbi bazën e të cilit bazohet akuza në rastin “Sopoti”, për herë të parë para mediave dëshmoi se deklaratën e tij kundër rastit e kishte dhënë nën dhunë fizike dhe psikike.
Ai thotë se fytyrat e atyre që e keqtrajtuan nuk do t’i harrojë kurrë, andaj theksoi se ka gjasa që t’i njohë, nëse ndonjëri nga 6 të punësuarit në DSK të propozuar si dëshmitarë plotësues nga ana e PPS-së ka qenë pjesëmarrës gjatë dëshmisë së tij pas arrestimit.
“Unë faktikisht jam i kidnapuar para stacionit në Kumanovë, jo i ndaluar normalisht. Më kanë mëshuar me pistoletë në kokë, më kanë futur kokën në thes, më kanë dërguar në vikendicë dhe dihet më pas se çka ka pasuar”,- tha dëshmitari në rastin “Sopoti”, Ramadan Bajrami.
Avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku, sqaron se dëshmitarët, sipas pretendimeve të PPS-së, kanë njohur për mbarëvajtjen e procesit parahetimor.
“Sipas asaj që thirret Prokuroria Speciale, këta janë persona të cilët kanë qenë të punësuar në Drejtorinë e zbulimit shtetëror dhe këta janë personat që kanë qenë të kyçur në mënyrë aktive në fazën parahetimore. Sipas pretendimeve të prokurorisë, këta persona kanë njohuri”,- u shpreh avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
Gjatë seancës gjyqësore, PPS propozoi dhe i dorëzoi Gjykatës CD-në me bisedën telefonike, mes ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkovit, dhe ish-ministres për punë të brendshme, Gordana Jankulloskës. Avokati i të akuzuarve, Naser Raufi, tha se do të kërkojnë që si dëshmitarë të dëgjohen edhe Mijallkovi dhe Jankulloska.
“Me të vërtetë si mbrojtje pritëm që prokuroria t’i propozojë dëshmitarët më me rëndësi në këtë lëndë, por edhe tjerat që i propozuam nuk jemi në kundër. Gordana Jankullovska - ish-ministre dhe Sasho Mijallkov – ish-shef i DSK-së. Mendoj se jo vetëm bisedat por duhet t’i japin edhe disa shpjegime lidhur me bisedën që për ne si mbrojtje është e rëndësishme”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Gjashtë të akuzuarit mbetën në deklaratat të cilat më herët i kanë dhënë në gjykatë. Katër të akuzuarit janë të pakapshëm, ndërsa njëri ka ndërruar jetë. Gjykimi është shtyrë për më 23 nëntor me kërkesë të mbrojtjes, që të ketë kohë të shqyrtohen dëshmitë e reja. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
