Fëmijët përdorues të drogës, asnjëri nuk e di numrin e saktë, shtetet mbyllin sytë
Asnjë institucion në rajon nuk mbledh të dhëna për fëmijët dhe të rinjtë që janë në rrezik....

Asnjë institucion në rajon nuk mbledh të dhëna për fëmijët dhe të rinjtë që janë në rrezik.
Të dhënat aktuale janë joadekuate krahasuar me situatën në terren, gjë që e bën të pamundur ndjekjen e politikave të përcaktuara në strategjitë kombëtare dhe planet e veprimit të ndërmarra nga ministritë dhe institucionet e tjera kompetente shtetërore. Një projekt katërvjeçar i Shoqatës “Hops”, me mbështetjen e BE-së dhe organizatave rajonale, ka si qëllim gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për trajnimin dhe përkujdesjen për këta të rinj. As Shkupi nuk ka qendër të kujdesit ditor për fëmijët që përdorin drogë.
“Të rinjtë dhe fëmijët të cilët përdorin drogë, janë në konflikt me ligjet. Po ashtu duhet përkujdesje edhe për fëmijët dhe të rinjtë të cilët vijnë nga familje ku përdoret drogë dhe ata të cilët janë pa kujdes prindëror, ne që jetojnë rrugëve”,- tha Ivica Cekovski nga OJQ “Hops”.
“Çështjet janë të shumëllojshme dhe të ndërlikuara, duke qenë se shteti nuk ka përcaktuar burimet njerëzore, materialet, logjistikën e nevojshme për të ofruar një përkrahje sa më të plotë në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve dhe të grupeve tjera në nevojë. Roli i shoqërisë civile del i pazëvendësueshëm dhe kuptohet që ky rol të jetë në plotësim të rolit të shtetit”,- theksoi përfaqësuesi i Organizatës “Arsa” - Shqipëri, Ilir Lisha.
Shoqata “Hops” në Shkup, deri në fund të 2016, ka kontaktuar 85 fëmijë që përdorin drogë, janë kontaktuar dhe rreth 30 kontakte të reja dhe për asnjërin prej tyre nuk është gjetur zgjidhje, pra asnjëri nuk ka marrë trajtim e asnjë shërbim nga shteti që mund të konsiderohet adekuat dhe i përshtatshëm për sëmundjen e varësisë me të cilën ata jetojnë. (Gyltene Sinani, TVM2)
