Dhuna në Kuvend, 30 ditë paraburgim për 4 sulmuesit e Selës, VMRO – DPMNE kërkon amnisti për sulmuesit
Gjykata Penale në Shkup ka përcaktuar paraburgim prej 30 ditëve.....

Gjykata Penale në Shkup ka përcaktuar paraburgim prej 30 ditëve për katër personat e dyshuar për sulmin ndaj deputetit, Ziadin Sela, në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.
Ndërkaq për personin e pestë të dyshuar për këtë vepër, për shkak të gjendjes shëndetësore, gjykata do të vendosë për masën në mënyrë plotësuese. Të akuzuarit ngarkohen për veprën penale “tentim vrasje në bashkëveprim”, nga neni 123 në lidhje me nenin 19 dhe 22 të Kodit Penal.
Për ngjarjet e 27 prillit, në stacionin policor në Kisella Vodë, policia ka marrë në pyetje edhe Jordan Mijallkov - djalin e ish-shefit të Shërbimit Sekret, Sasho Mijalkov. Ai nuk është prononcuar para mediave, por jozyrtarisht mësohet se përpara hetuesve ka deklaruar se natën e 27 prillit ka qenë protestues sikur çdo natë tjetër, ndërkaq hyrjen në Kuvend e ka arsyetuar me faktin se ka pasur për qëllim të përshëndetet me njërin nga ish-anëtarët e Shërbimit Sekret dhe se menjëherë ka dalë nga Kuvendi.
Nga ana tjetër, Komiteti ekzekutiv i VMRO- DPMNE-së ka kërkuar lirim të menjëhershëm dhe amnisti për të gjithë personat që kanë kryer shkelje të caktuara ligjore në incidentin e 27 prillit në Kuvend, ndërsa për këtë paralajmëruan se do të dorëzojnë amendament në Kuvend ose ligj të posaçëm. Për dhunën në Kuvend deri më tani janë parashtruar padi adekuate për rreth 20 persona. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
