Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve, analistët: Koalicionimi Aleanca – BESA, i vonuar

18.10.2017 16:51

Koalicionimin e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA për në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale...

Koalicionimin e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA për në rrethin e dytë  të zgjedhjeve lokale, analistët politik në vend e shohin me shumë skepticizëm. Sipas panelistëve në “Argument” në TVM 2, marrëveshja për mbështetje reciproke do të ishte shumë më e suksesshme sikur të ishte arritur para raundit të parë të zgjedhjeve lokale. 
 
“Qytetarët vetë do vendosin. Këto numra nga rrethi i parë nuk mundet në mënyrë mekanike të transferohen në rrethin e dytë, vetëm pse liderët bënë bashkimin dhe votat do shkojnë aty ku ata dëshirojnë. Ne nuk e dimë sa ka qenë përkrahja e LSDM-së në rrethin e parë”,- u shpreh analisti politik, Ibrahim Memeti.
 
“Tani është strategjia e vetë partive politike që deshën apo s’deshën janë në një situatë të tillë korrelacioneve ashtu si janë. Ata duhet të bien vendim, të shohin cili do ishte interes, së pari i shqiptarëve, pastaj partiak, po edhe në fund interes i atyre individëve që kanë marrë guximin të jenë pjesë e këtyre garave”,- u shpreh analisti, Ilir Luma.
 
“Nëse e shikojmë Strugën, si mund t’i ndihmojë në këtë rast BESA kur ka vetëm 1000 vota, si mund t’i ndihmojë në rastin konkret në Strugë. E kemi pastaj Gostivarin, çka nëse nuk do të futet në lojë VMRO, do jetë problem edhe në Gostivar. Përsëri unë jam skeptik që ky koalicion mund të funksionojë si funksional në rrafshin lokal”,- tha analisti, Fati Iseni.
 
Sipas parashikimeve të analistëve, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale BDI do të fitojë më shumë komuna, ndërsa luftë e ashpër do të zhvillohet për Çairin, Strugën dhe Gostivarin. 
 
“Unë besoj se në pjesën dërmuese të komunave do të fitojë BDI, duke filluar nga Likova, ku shihen qartë numrat që janë në favor të BDI-së, në Çair për shkak të avantazhit që ka dhe për shkak të përkrahjes nga LSDM, Sariji gjithashtu, në Tetovë besoj se do fitojë z. Arifi. Në Gostivar shifrat janë afër… Nëse nuk do ishte koalicioni mes Selës dhe BESËS, ndoshta VMRO fshehurazi do t’i jepte një infuzion në këto zgjedhje BESES. Në Strugë është pak e paqartë. Pra, janë dy komuna që janë diskutabile”,- theksoi analisti, Fati Iseni.
 
“Është e qartë se BDI nuk mund të humb në këto zgjedhje. Ndërsa për BESËN dhe Aleancën këto mund të jenë zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme. Nëse humbin liderët e këtyre partive në Strugë dhe Tetovë, do të ketë konsekuenca edhe për të ardhmen e të dyja partive, prandaj do të jetë një luftë shumë e ashpër për këto pozicione. Në Tetovë do të jetë shumë vështirë për BESËN ta kompensojë humbjen nga rrethi i parë, ndërsa në Strugë do të varen nga partitë maqedonase… Edhe në Gostivar lufta do të jetë shumë e ashpër”,- u shpreh analisti politik, Ibrahim Memeti.
 
“Në Strugë, sipas meje, Aleanca për Shqiptarët Çairin do e fitojë BDI-në, BESA ka shans vetëm Zhelinën ta fitojë sipas forcave fillestare dhe Tetovën - BDI, Gostivarin do e humb BDI”,- theksoi analisti, Ilir Luma.
 
Sipas tyre, edhe nëse koalicionimi Aleanca për Shqiptarët – BESA do arrijë të mbijetojë deri në fund, do të jetë në favor të Aleancës për Shqiptarët.  
 
SANIJE DURAKU