Dita Europiane Kundër Trafikimit me Njerëz, OJQ-të: viktimat nuk identifikohen zyrtarisht

18.10.2017 17:26

Eksploatimi seksual dhe shfrytëzimi i punës së qytetarëve....

Eksploatimi seksual dhe shfrytëzimi i punës së qytetarëve janë dy eksploatimet më të përhapura në Maqedoni.

Sektori civil për herë të parë ngre shqetësimin se gjatë vitit të kaluar nuk është identifikuar asnjë viktimë zyrtare, por kjo nuk do të thotë se viktima nuk ka. Viktimave iu  duhet mbrojte dhe mbështetje maksimale për të shpëtuar nga “kthetrat” e tregtarëve me qenie njerëzore,- thonë OJQ-të.

“Gjatë vitit të kaluar nuk është identifikuar asnjë viktimë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka tregti me njerëz, por se të njëjtit nuk po identifikohen vet as që indentifikohen nga shërbimet shtetërore”,- deklaroi Jasmina Rajkovska nga Ojq “Porta e hapur - La strada”.

Eksploatimi i punës së qytetarëve më së shumti ndodh nëpër fabrika, ndërsa viktima e eksploatimit seksual janë gratë. Përfaqësuesit e institucioneve thonë se duhen dënime më të ashpra dhe dëmshpërblime për viktimat.

“Para nesh po parashtrohen dy qëllime, rregullimi i tërësishëm i parimit për mosdënimin e viktimave të tregtisë me njerëz dhe krijimi i fondit të veçantë për dëmshpërblimin e viktimave”,- theksoi koordinatorja nacionale, Magdallena  Nestovska.

Edhe emigrantët transit në Ballkan janë viktima potencialë të trafikimit njerëzor, në veçanti fëmijët.

“Sipas analizave tona, të miturit që transitojnë pa kujdestarinë e dikujt dhe ata që nuk transitojnë në grup, shanset që t’i nënshtrohen tregtisë me njerëz janë gjithashtu të mëdha”,- tha shefja e zyrës së IOM-s, Sonja Petrushevska.

18 tetori, Dita Europiane e Luftës Kundër Tregtisë me Njerëz, është një ditë jo vetëm për numërimin e statistikave, por për fillimin e marrjes së masave konkrete, alarmon sektori civil.  (Rexhep Qamili, TVM2)