Maqedoni

Dita Europiane për Dhurimin e Organeve, transplanti shpëton jetë, mungon vetëdija qytetare

18.10.2017 17:38

Maqedonia nuk ka eksperiencë në aktin human të dhurimit të organeve...

Transplantimi i organeve mund të shpëtojë jetë njerëzish, por duhet rritur vetëdija e qytetarëve për t’u bërë dhurues organesh në raste vdekjeje, apo dhurues i organeve nga të afërt të familjes në raste kur i njëjti nuk dëmton shëndetin e dhuruesit. Në ditën europiane të dhurimit të organeve, Shoqata e të Sëmurëve nga veshkat ”Nefron” kërkon edhe ndihmën e institucioneve në këtë drejtim.
 
“Për ne, ka pasur ndalesë për transplantim. Kërkojmë futjen e barërave të reja për pacientët në dializë dhe për transplantuesit, si dhe më shumë beneficione për personat që dhurojnë dhe pranojnë ndonjë organ. Të rritet numri i burimeve të mundshme për organe, sikur nëpër botë, duhet të jenë qendrat për kujdes intensiv. Të rrisim vetëdijen e qytetarëve për nevojën e transplantimit të organeve, duke i nxitur familjarët të dhurojnë organe sipas mundësive, ose nëse ndërron jetë ndonjë pjesëtar i familjes, të japin pëlqimin për dhurimin e organeve”,- tha kryetari i Shoqatës “Nefron”, Dushko Gjorgjiev.
 
Nën Klinikën për Urologji, pas ngecjes prej një viti e gjysmë, vitin e kaluar janë bërë 7 transplantime, ndërsa këtë vit deri tani janë bërë 12 transplantime.
 
“Është e domosdoshme të fillohet me përfshirjen e Maqedonisë në rrjetin ndërkombëtar të donatorëve të organeve eurotransplant si kusht për shkëmbimin e organeve, emërimin e koordinatorëve të spitalit për t'u dedikuar për këtë punë dhe pacientët me hepatit C, që janë në dializë, që do të trajtohen me gjenerikën e re të barnave, që të jetë në listën e transplanteve”,- theksoi drejtori i Klinikës për Urologji, Sasho Dohçev.
 
Pacientët që kanë pranuar organe janë mirënjohës për të afërmit që u kanë shpëtuar jetën. 
 
“Dhuruese e veshkës ishte nëna ime, ajo ma dha një pjesë nga vetja që unë të rifilloj jetën nga e para. Ata që janë në dializë e dinë se sa e vështirë është jeta me këtë sëmundje”,- tha një paciente.
 
Jo vetëm të sëmurët nga veshkat, por të gjithë pacientët që kanë nevojë për organe zëvendësuese e dinë se ndonëse është e vështirë për t’u pranuar si koncept, dhuruesit e organeve janë në të vërtetë humanistët më të mëdhenj, edhe kur dhurimi ndodh në raste kur dhuruesi nuk është më në jetë. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU