Rrethi i dytë i zgjedhjeve, ASh dhe BESA zyrtarizojnë koalicionin; Osmani: Koalicioni, kalkulim për kontigjent votash

18.10.2017 17:55

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA zyrtarizuan marrëveshjen e tyre për të garuar së bashku në rrethin e dytë zgjedhor...

Në bazë të marrëveshjes, dy subjektet politike do të përkrahin njëra-tjetrën në të gjitha komunat në të cilat janë në balotazh me kandidatët e BDI-së, njoftuan shefat e shtabeve zgjedhore të dy subjekteve tanimë në koalicion, Ilmi Haziri nga Aleanca për Shqiptarët dhe Afrim Gashi nga Lëvizja BESA. Të dy partitë nuk hedhin poshtë mundësinë e koalicionimit edhe pas këtyre zgjedhjeve.
 
“Mbi bazën e analizave ne konstatuam që ASh dhe Lëvizja BESA kanë hapësirë për bashkëpunim, kanë nevojë për bashkëpunim dhe konsideroj se ky bashkëpunim do të jetë shumë frytdhënës më 29 tetor. Gjithandej ku ka kandidat të këtyre dy subjekteve politike, bëjmë apel që të përkrahet maksimalisht dhe ky koalicion të rezultojë i suksesshëm”,- deklaroi shefi i shtabit zgjedhor të PASh-së, Ilmi Aziri.
 
“Ne kemi arritur marrëveshje që Lëvizja BESA ta përkrahë ASh-në në pesë komunat ku ata garojnë në raundin e dytë, ndërsa ASh e përkrah Lëvizjen BESA në shtatë komuna ku ajo garon më 29 tetor. Besojmë që kjo frymë që tash po ndërtohet të jetë frytdhënëse dhe në të ardhmen të jetë një koalicion që mund të garojë edhe në zgjedhjet e ardhshme”,- theksoi shefi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
 
Nga BDI akuzojnë dy partitë për marrëveshje të tjera të fshehta që në rrethin e parë, ndryshe nga koalicioni BDI-LSDM që ishte publik që në fillim.
 
"Marrëveshjet bëhen në baza programore. Marrëveshjet ndërmjet partive politike bëhen për të përmirësuar ofertën për qytetarët. Marrëveshjet dhe koalicionet nuk bëhen për të dëmtuar një parti tjetër politike, nuk bëhen për qëllime jo të mira dhe nuk bëhen për t’i mbrojtur fotelet dhe karrierat politike të disa individëve. Ky është dallimi ndërmjet këtyre dy koalicioneve, koalicionit pro-evropian dhe reformator që dominon në Qeveri dhe koalicioneve që ende do të duhet të shohim se çfarë perspektive kanë. Bashkëpunimi duhet të jetë parimor dhe programor dhe jo çështje e kalkulimeve për kontingjente votash”,- u shpreh Bujar Osmani nga BDI.
 
Në pyetjen e gazetarëve nëse marrëveshja midis Lëvizjes BESA dhe APSh-së mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis koalicionit qeverisës, Bujar Osmani deklaroi se lidhur me këtë çështje partneret e koalicionit qeverisës do të duhet të bisedojnë se çfarë do të bëjnë më tutje.
 
Por, shefi i shtabit zgjedhor të APSh-së, Ilmi Haziri, përgjigjet se pjesëmarrja në qeveri nuk është në vullnetin e Bujar Osmanit. Sipas tij, APSh ndodhet në qeveri pasi që ishte iniciatore e nevojës për reforma dhe është e fokusuar që t’i vazhdojë të njëjtat.
 
NAIM RAMADANI