Maqedoni

Mbaroi afati për ankesa, VMRO-DPMNE dorëzon 43 ankesa në KShZ

18.10.2017 17:58

Partitë politike kanë dorëzuar në KShZ 46 ankimime për procesin zgjedhor...

Më shumë ankesa ka VMRO-DPMNE, më pak partitë shqiptare, përkatësisht vetëm Aleanca për Shqiptarët ka parashtruar një ankesë për një vendvotim në Gostivar. 
 
“Deri te KShZ janë dorëzuar gjithsej 46 ankimime, ku prej tyre një numër më të madh ka dërguar VMRO-DPMNE, me gjithsej 43 ankimime. Kemi një ankimim nga TMRO, një ankimim nga partia “E Majta” dhe nga partitë shqiptare kemi vetëm një ankimim, nga Partia Aleanca për Shqiptarët, e cila ka dorëzuar ankimim për vendvotimin në Gostivar”,- deklaroi zëdhënësja e KShZ-së, Arjeta Xhemaili.
 
Në bazë të Kodit Zgjedhor, KShZ duhet t’u përgjigjet të gjitha ankimimeve në një afat prej 48 orësh. Seanca për shqyrtimin e tyre është paralajmëruar për të enjten, e cila do të jetë e hapur për opinionin. Partitë të cilat nuk do të jenë të kënaqura me vendimet e KShZ-së do të mund t’i drejtohen Gjykatës Administrative në afat prej 24 orësh, ndërkaq gjykata është e obliguar që të vendosë për ankesat në afat prej 48 orësh.
 
Rrethi i dytë i votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës në komunat ku ka balotazh do të mbahet më 29 tetor.         
 
SHPËTIM NUREDINI