Në Kamnik fillon ndërtimi i xhamisë së re
Në fshatin Hasan Beg të Shkupit, në vendin e quajtur “Kamnik”, sot u vu gurthemeli i xhamisë së re, me ç’rast kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reis Sulejman ef. Rexhepi, tha se xhamia, si një tempull besimi, është një nevojë më se e domosdoshme për banorët e kësaj lagje..........

Në fshatin Hasan Beg të Shkupit, në vendin e quajtur “Kamnik”, sot u vu gurthemeli i xhamisë së re, me ç’rast kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reis Sulejman ef. Rexhepi, tha se xhamia, si një tempull besimi, është një nevojë më se e domosdoshme për banorët e kësaj lagje.
Kurani, islamistika, jeta e profetit, syneti paraqesin dhe predikojnë paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën si vlera civilizuese që bota në shek. XXI pretendon t’i ketë, thotë efendi Rexhepi.
“Sot, në këtë ditë të verës, dy tre ditë para hyrjes së “Muajit të Ramazanit”, këtu në fshatin Hasan Beg të Shkupit, në vendin e quajtur “Kamnik”, vendohet gurthemeli i një xhamie të re, i një tempulli të shenjtë, ku me të vërtetë është një gëzim i madh. Është një gëzim i pakufishëm për të gjithë pjesëtarët e Islamit të kësaj lagje, sidomos me këtë dua të them se gurthemelin që hodhëm sot këtu nuk është një tepricë, nuk është një luks, por është një nevojë e domosdoshme elementare e infrastrukturës dhe nevojës së popullit tonë. Askush nuk duhet të trembet nga xhamia, sepse nëpër xhamia mund të predikohet paqja, toleranca dhe bashkëjetesa si vlera civilizuese që bota në shek. XXI pretendon t’i ketë”, deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Banorët e kësaj lagje janë shprehur të kënaqur me iniciativën. Ata shprehen se kjo lagje një kohë të gjatë kishte nevojë për ndërtimin e këtij kulti fetar. (Memedali Jusufi, TVM2)
