Maqedoni
Koalicioni ASh-BESA, Ademi: BDI pro bashkimeve, por është i vonuar
19.10.2017 15:54
BDI ka komentuar sërish koalicionin e ri mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale...

BDI ka ftuar gjithnjë partitë e vogla të bashkohen në koalicione të hapura, edhe pse u panë qartë koalicionet e fshehta që në rrethin e parë, thotë zëdhënësi i shtabit qendror zgjedhor të BDI-së, Arbër Ademi.
Sipas tij, BDI gjithnjë ka folur hapur për koalicionet e fshehta jashtë syve të opinionit me VMRO-në e që u zbuluan nga rezultatet zgjedhore të rrethit të parë, ndërsa koalicionin e fundit e quan të vonuar.
“Kur jemi te koalicionimet e fshehta, ne gjithmonë kemi aluduar në koalicionin e tyre me VMRO-DPMNE-në, ndërsa koalicioni midis tyre edhe dje po ka pas informacione që në rrethin e parë se ata janë në bashkëpunim midis veti dhe kur jemi te koalicionimi i tyre dhe takimi i tyre i djeshëm, më lejoni të theksoj se BDI gjithmonë u ka bërë thirrje partive të vogla që të bashkohen dhe i urojmë për bashkimin, mirëpo më duhet të theksoj se ky bashkim është i vonshëm, ky bashkim bëhet për interesa personale të tyre. Tashmë është e qartë se ata kanë takime të vazhdueshme me eksponentë të lartë të VMRO-së që në raundin e parë, mirëpo kjo është zgjedhja e tyre. Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve të mbështesin programin, platformën dhe kandidatët tanë që janë dukshëm më të mirë se të oponentëve”,- deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Gjithsesi, koalicioni i ri, sipas Ademit, nuk lëkund shumicën parlamentare. BDI gjithashtu është e bindur për fitore të thellë në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 29 tetor.
NAIM RAMADANI
