Maqedoni

Këshilli gjyqësore, Karaxhovski: pa koment për shpërndarjen e lëndëve

19.10.2017 16:13

Kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski, ka refuzuar të përgjigjet nëse do të bartin përgjegjësi personale...

Kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski, ka refuzuar të përgjigjet nëse do të bartin përgjegjësi personale ai dhe anëtarët e Këshillit gjyqësor, nëse vërtetohet se ka pasur keqpërdorime në sistemin elektronik për shpërndarje të lëndëve gjyqësore.
 
Ai tha se pret raportin zyrtar të komisionit nëse janë notuar keqpërdorimet e mundshme.
 
“Unë nuk kam koment për këtë, atë që e mendoj e kam publikuar në kumtesë dhe e pres raportin. Nuk është e imja të kumtoj nëse mendoj apo jo që do të jem pjesë e raportit. Ai që mendon se dikush ka kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm, lirisht duhet të veprojë dhe të paraqesë padi penale ose padi për kundërvajtje”,- deklaroi kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski.
 
Karaxhoski tha së Këshilli nuk punon në mënyrë selektive, ndërsa demantoi se i ka bërë shtypje gjykatëses, e cila ka vendosur në lëndën për urdhëresa për bastisje në vendin e punës dhe shtëpisë së ish-kryetarit të Gjykatës Penale në Shkup.
 
Ditë më parë, akademiku, Vllado Kambosvski, kishte deklaruar se ligjërisht askush nga Këshilli gjyqësor nuk ka të drejtë të shqyrtojë vendimin gjyqësor për urdhëresën për bastisje tek ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski, dhe se një gjë e tillë mund të behët vetëm me ankesë në instancat më të larta gjyqësore.
 
Më pesë tetor, me urdhëresë nga Gjykata e Gjevgjelisë, prokurorja speciale, Katica Janeva, në fazën parahetimore kundër Vladimir Pançevskit për shpalosjen e sekretit zyrtar dhe keqpërdorime të shumta në sistemin elektronik për shpërndarje të lëndëve në Gjykatën Penale në Shkup ka kryer bastisje në dy vende dhe ka grumbulluar dëshmi për hapjen e hetimit.
 
Sistemi në fjalë është paraparë që të shpërndajë lëndë me zgjedhje të rastësishme pa ndikim njerëzor.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI