Maqedoni

Greqi, arrestohen Grujovski dhe Boshkovski

19.10.2017 17:27

Ministria e Brendshme e Greqisë konfirmoi informacionin se dy të akuzuarit, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski...

Ministria e Brendshme e Greqisë konfirmoi informacionin se dy të akuzuarit, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, u arrestuan dje në Selanik me dokumente të udhëtimit të falsifikuara.
 
Ministria greke nuk ka zbuluar vendndodhjen e saktë ku ata janë arrestuar, por sipas informatave paraprake ata janë vënë re në aeroportin e Selanikut.
 
Mediat greke shkruajnë se ata u arrestuan derisa nga Selaniku po tentonin të nisen drejt Budapestit, në Hungari, me pasaporta të falsifikuara. Grujevski dhe Boshkovski janë fshehur nën identitetet Nexhbi Hasan dhe Hristo Atanasov.
 
Ata pritet të sillen para gjykatësit hetues dhe pastaj do të fillojë procedura për ekstradim nëse kërkohet nga autoritetet maqedonase, bën të ditur policia greke.
 
“Dy persona të moshës 51 dhe 35vjeç, të cilët Interpoli i kërkonte për krim të organizuar dhe shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve, u arrestuan dje pasdite rreth orës 15. Ata kishin dokumente të pavlefshme të udhëtimit. Sot pritet të sillen para gjykatësit hetues dhe pastaj pason procedura për ekstradim, nëse kërkohet nga vendi i origjinës së këtyre  personave. Procesi i ekstradimit mund të zgjasë disa ditë”,- kanë deklaruar nga  Ministria e Brendshme e Greqisë. 
 
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka informata të pakta në lidhje me arrestimin e dy të arratisurve të kërkuar për tre muaj.
 
Ministria e Drejtësisë thonë se nuk kanë marrë ende një kërkesë për fillimin e procedurës së ekstradimit dhe policia maqedonase është ende në pritje të konfirmimit zyrtar nga Interpoli i Athinës.
 
Grujevski dhe Boshkovski  janë akuzuar nga Specialja për përgjimin  e paligjshëm  të qytetarëve dhe shkatërrimin fizik të sistemeve të përgjimit që të mos ketë dëshmi për  shkelje masive të të drejtave dhe lirive të njeriut në rastet “Fortesa” dhe “Target”.
 
Të dyve u është dhënë një masë paraburgimi më 18 korrik, për të cilën u ankuan.
 
Gjykata e Apelit e konfirmoi këtë masë dhe edhe pse kjo masë është dhënë për shkak të rrezikut të arratisjes, në vendimin  e gjykatës shkruan se ajo do të hyjë në fuqi pas hyrjes në fuqi të vendimit, me çka zbatimi i saj është shtyrë  deri në përfundimin e procedurës ankimore para Gjykatës Supreme.
 
Pas njoftimeve për arrestimin e tyre, nga Prokuroria Speciale kanë thënë se presin procedura e ekstradimit të përfundojë sa më shpejtë, që të akuzuarit të transferohen në burg në Maqedoni dhe gjykimi të fillojë sa më shpejtë.
 
FLUTURA LATIFI