Spanja, të shtunën do të nis pezullimin e autonomisë
Madridi zyrtar njoftoi se do të aktivizojë nenin 155 të Kushtetutës, të pazbatuar asnjëherë më parë...

Madridi zyrtar njoftoi se do të aktivizojë nenin 155 të Kushtetutës, të pazbatuar asnjëherë më parë, i cili i lejon pezullimin e të drejtave të zgjeruara që Katalunja kishte gëzuar deri më tani, pasi presidenti i rajonit autonom nuk e sqaroi pozicionin e tij brenda afatit të fundit kohor, që ishte ora 10 e paradites.
Përpara se neni mitik të hyjë në fuqi, ai duhet të marrë “dritën jeshile” të Senatit spanjoll, gjë që nuk do të jetë e vështirë, pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit kontrollohet nga Partia Popullore e Rajoyt dhe aleatët e saj.
Njoftimi erdhi pak minuta pasi kreu katalanas, Carles Puigdemont, paralajmëroi se rajoni mund ta shpallë zyrtarisht pavarësinë, nëse ekzekutivi spanjoll nuk pranon bisedimet.
“Po vazhdoi qeveria qendrore ta pengojë dialogun dhe të ndjekë rrugën e shtypjes, Parlamentit katalanas do të procedojë - nëse e sheh të nevojshme, - me votimin e shpalljes zyrtare të mëvetësisë”,- thuhej në letrën e dërguar Rajoytit nga Puigdemont, pak minuta përpara skadimit të afatit, i dyti dhe i fundit i vendosur Katalunjës këtë javë.
Pezullimin e autonomisë, Madridi do ta nisë të shtunën, kur ministrat e kabinetit qeveritar do të takohen për aktivizimin e nenit të shumëdiskutuar, që i lejon të marrë në duar drejtimin e rajonit rebel.
Mendohet se masat e ekzekutivit qendror do të nisin me vënien nën kontroll të policisë rajonale e financave të Katalunjës, e mund të vazhdojnë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, duke larguar kështu nga detyra Puigdemontin dhe qeverinë rajonale.
