Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, KShZ hedh poshtë të gjitha kundërshtimet e partive
20.10.2017 12:42
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë si të pabaza të gjitha kundërshtimet e partive politike...

Në një seancë maratonike, e cila filloi të enjten në orën 10 dhe zgjati deri në orën shtatë të mëngjesit të ditës së premte, KShZ shqyrtoi 43 kundërshtime të partive politike, prej të cilave 40 ishin të VMRO-DPMNE-së, një kundërshtim i Aleancës për Shqiptarët, një i Partisë “E Majta” dhe një i Partisë Bashkimi i Përhershëm Radikal Maqedonas “TMRO”.
“Të gjitha këto kundërshtime janë shqyrtuar një nga një nga ana e KShZ-së, seanca është përmbyllur në orën shtatë të mëngjesit dhe po të njëjtat kundërshtime janë refuzuar nga ana jonë. Të gjitha vendimet do të shpallen në ueb-faqen tonë, kështu që qytetarët që janë të interesuar për arsyet e refuzimit të këtyre kundërshtimeve mund t’i shqyrtojnë”,- tha zëdhënësja e KShZ-së, Arjeta Xhemaili.
Për të sqaruar lëshimet dhe paqartësitë në procesverbale, KShZ, në disa raste, thirri edhe komisionet komunale dhe këshillat zgjedhorë. Pas shpalljes së vendimeve të KShZ-së për kundërshtimet e partive, këto të fundit kanë afat 24 orë që të paraqesin ankesa në Gjykatën Administrative, ndërkaq Gjykata është e obliguar që të vendosë për ankesat në afat prej 48 orësh.
Rrethi i dytë i votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës në komunat ku ka balotazh do të mbahet më 29 tetor.
SHPËTIM NUREDINI
