Maqedoni
“Komitët” lëndojnë tre qytetarë, 10 të dyshuar në bisedë informative në MPB
20.10.2017 15:52
MPB ka marrë 10 persona në bisedë informative pas incidentit që ndodhi mbrëmë në afërsi të Bit Pazarit...

MPB ka marrë 10 persona në bisedë informative pas incidentit që ndodhi mbrëmë në afërsi të Bit Pazarit, ku pjesëtarët e grupit të tifozëve të Vardarit, “Komitët”, u përleshën me qytetarët e rastit.
MPB informon se incidenti ka ndodhur fillimisht në katin e dytë të autobusit urban me numër 50, në të cilin tifozët e revoltuar nga humbja e Vardarit ndaj Real Sociedadi kanë filluan të sulmojnë udhëtarët, madje kanë shkaktuar edhe aksident mes dy autobusëve.
“Në stacionin policor Bit Pazar janë marrë në bisedë informative dhjetë persona për incidentin e mbrëmshëm në bulevardin “Kërste Misirkov”, në autobusin e NQP-së me nr. 50. Është biseduar me shtatë minorenë dhe tre të rritur, midis të cilëve edhe me shoferin e autobusit. Prishja e rendit publik është shkaktuar rreth orës 21 në bulevardin “Krste P. Misirkov”. Njëri nga tifozët e ka kapur timonin e autobusit urban me numër 50 dhe ka shkaktuar aksident me autobusin numër 20”,- thuhet në njoftimin e Policisë.
Tre të lënduarit në rrahje pas dhënies së ndihmës mjekësore në Qendrën e Urgjencës janë lëshuar në mjekim shtëpiak. SPB-Shkup po ndërmerr masa për ndriçim të plotë të rastit.
REXHEP QAMILI
