Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, VMRO-DPMNE takime në Gazi Babë dhe Butel

20.10.2017 17:08

Kandidati për kryetar në Komunën e Gazibabës nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Toni Trajkovski...

Kandidati për kryetar në Komunën e Gazibabës nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Toni Trajkovski, në garën për mandatin e tretë për komunën e Gazibabës premtoi shumë projekte të reja në këtë komunë. Ai me këtë rast publikisht pyeti LSDM-në që të numërojë vetëm një projekt të vetëm që e ka realizuar për Gazibabën edhe tani që janë në pushtet por edhe më herët.
 
“Nëse posedon vullnet LSDM mundet menjëherë të fillojë me ndërtimin e çerdhes në Stajkovcë. Por, meqenëse me rebalancin që bëri LSDM u shkurtuan mjetet për ndërtimin e çerdhes, ne këtë do e realizojmë me blerjen e tokës dhe do fillojmë procedurë për ndërtimin e çerdhes. Do realizojmë edhe shumë projekte për përmirësimin e cilësisë së jetesës”,- tha Trajkovski. 
 
“Përmes ndërtimit të sistemit të ri të ujësjellësit, i cili do të ndërtohet në lagjen Hrvatska, besoj se do të arrijmë të zgjedhim problemin me zonën e lartë dhe disa pjesë të ulëta të lokacioneve në Zhelezarë. Me këtë projekt do të zgjidhet ky problem i kamotshëm, sidomos për periudhën e verës do të ketë furnizim me ujë të mjaftueshëm. Ne do vazhdojmë edhe me përkrahjen që ua japim të rinjve në këto lagje, e në veçanti do t’i kushtojmë rëndësi ndërtimit të një qendre për të rinjtë dhe organizata joqeveritare të cilat do të ndërtohen në lagje. Për të rinjtë parashihet të ndërtohet qendër dhe me këtë ne shprehim përkrahjen tonë ndaj të rinjve, sepse ata janë ardhmëria e vendit tonë. Po ashtu në komunën e Gazibabës kemi paraparë blerjen e tokës ndërtimore dhe do të fillojmë procedurë për ndërtimin e çerdhes, e cila është më se e nevojshme për këtë komunë”,- tha kandidati për komunën e Gazibabës nga VMRO-DPMNE, Toni Trajkovski. 
 
Premtime të shumta u bënë edhe nga kandidati për kryetar në komunën Butel, Darko Kostovski, i cili paralajmëroi ndërtimin e parkut modern për banorët.
 
“Një nga projektet më të rëndësishme në lagjen e Radishanit është ndërtimi i një parku modern i cili do të ketë dy-tre shatërvanë të mëdha, një rrugicë të madhe për këmbësorë dhe gjelbërim të mbjellë me lule dhe drunj. Shpresoj se me ndërtimin e këtij parku banorët e lagjes Radishan do të kenë ku të pushojnë dhe të rekreohen. Po ashtu në lagjen Radishan është paraparë edhe ndërtimi i dy fushave të sportit si dhe ndërtimi i dy fitnes-zonave për të rinjtë. Po ashtu është paraparë edhe ndërtimi i kanalizimit atmosferik në rrugën “Skoeska” dhe “Amdi Demir”, si dhe do të ndërtohet trotuare nga lumi Serava deri tek lagja Radishani. VMRO DPMNE po ashtu ka paraparë edhe ndriçimin e tërësishëm të rrugëve në lagjen e Radishanit. Projektet tona rrisin cilësinë e jetesës, andaj padyshim votën tuaj jepeni për VMRO-DPMNE-në”,- u shpreh kandidati për kryetar në komunën e Butelit nga VMRO-DPMNE, Darko Kostovski.
 
 Kandidatët për kryetarë komune të VMRO-DPMNE-së apeluan në rrethin e dytë të votohet për ta, që të sigurohen projekte cilësore.
 
FLUTRA LATIFI