Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, BESA takime në Saraj dhe Fushë Tophanë

20.10.2017 17:38

Një ditë pas koalicionit zyrtar mes Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, në Saraj mbrëmë është organizuar takim me qytetarët...

Në këtë takim, përfaqësuesit e të dyja partive janë shfaqur të bashkuar para qytetarëve të komunës së Sarajit duke kërkuar nga ata angazhim dhe mbështetje më të madhe për kandidatin e Lëvizjes BESA, Bashkim Bakiun, i cili do të garojë në rreth të dytë me kandidatin ë BDI-së, Blerim Bexhetin. Bashkim Bakiju premtoi se “do të punoj me drejtësi, duke e vënë veten në shërbim të qytetarëve, sepse komuna u përket atyre,  jo individëve dhe grupeve të caktuara, e as ndonjë partie politike”,- tha Bakiu.
 
“Ajo që është më e ëmbël e këtij koalicioni është se ky koalicion është shqip-shqip edhe nëpër tubimet që i kam mbajtur në komunën e Sarajit, gjithmonë kam thënë se komuna nuk do të jetë e asnjë partie, nuk do të jetë as e BESËS, nuk do të jetë as e Aleancës, nuk do të jetë as e individëve të caktuar. Por, komuna duhet të jetë e të gjithë qytetarëve dhe jo e një grupi të caktuar apo individëve të cilët do ta shfrytëzojnë për interesa personale, ajo është e banorëve të Sarajit, e qytetarëve të saj”,- theksoi kandidati për kryetar në komunën e Sarajit nga Lëvizja BESA, Bashkim Bakiju.
 
Aktivitetet e kësaj partie janë zhvilluar edhe në lagjen e Fushë Topanës, ku kandidati për kryetar në komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi, ka njoftuar në detaje banorët me projektet të cilat do t’i realizojnë në të ardhmen në këtë komunë. Ai gjithashtu u shpreh mirënjohës për mbështetjen që ia kanë dhënë qytetarët në rrethin e parë dhe kërkoi të vazhdojnë ta mbështesin edhe më tej, për të rifilluar një jetë të re dhe ndryshimin në të mirë të të gjithëve.
 
“Nuk dua të flas për ndonjë marsh, thjesht është një vizitë e rëndomtë nëpër familjet e komunës së Çairit. Dua t’i falënderoj ata për mbështetjen që na kanë dhënë në rrethin e parë dhe t’i inkurajoj të vazhdojnë të na mbështesin. Aktivistët e Lëvizjes BESA dhe të Aleancës janë në aksion të pandërprerë në të gjitha lagjet e Shkupit. Unë si kandidat, për shkak se fizikisht nuk mund të mbërrijë gjithkund, do të jem vetëm nëpër disa pjesë të lagjeve të Shkupit, që t’i mbështes aktivistët dhe aksionet. Kjo do të vazhdojë deri në përmbyllje të fushatës”,- u shpreh kandidati për kryetar në komunën e Çairit nga Lëvizja BESA, Zeqirija Ibrahimi.
 
Lëvizja BESA vazhdon takimet edhe në komunat e tjera në të cilat garon në rrethin e dytë të zgjedhjeve, që mbahen të dielën e 29 tetorit. Përballja kryesore në balotazh është me kundërkandidatët e BDI-së, ndërkohë që në komunën e Studeniçanit gara zhvillohet mes kandidatit  të BESËS dhe atij të PDSh-së.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU