Maqedoni

Rastet “Target” dhe “Fortesa”, përgatitet kërkesa për ekstradim

20.10.2017 17:59

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesën për ekstradimin e ish-shefave të DSK-së, Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovsit, nga Greqia në Gjykatën e Apelit në Shkup...

Për ekstradimin e dy agjentëve duhet të mblidhen të gjitha dokumentet dhe dëshmitë lidhur me lëndët “Target” dhe “Fortesa”, në të cilat PPS akuzon për përgjim joligjor dhe shkatërrimin e dokumentacionit të përgjimit.
 
Kërkesa së bashku me dokumentacionin e plotë do të dorëzohet te autoritetet greke, të cilat më pas duhet të vendosin për ekstradimin. Para ekstradimit, dy të akuzuarit pritet që të dënohen për shkak të posedimit të dokumenteve të rrejshme të udhëtimit që u kapën gjatë kontrollit në aeroportin e Selanikut, në tentim për të ikur në Budapest. Nga Qeveria thanë se presin të respektohen të gjitha standardet dhe marrëveshjet ndërkombëtare për ekstradim.
 
“Pritjet janë se të gjitha standardet dhe marrëveshjet ndërkombëtare në këto raste do të respektohen në procedurë dhe afat të rregullt për respektimin e rregullave”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Sipas informatave të fundit të mediave greke mësohet që Boshkovski dhe Grujovski para gjykatës në Greqi kanë mohuar veprën për të cilën ngarkohen dhe kanë deklaruar se kanë frikë të kthehen në Maqedoni për shkak të sigurisë. Skandali me përgjimet në Maqedoni ka filluar në vitin 2015 dhe i njëjti shkaktoi krizë politike në vend. Të akuzuarit, Boshkovski dhe Grujevski, janë në arrati për rreth tre muaj.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI