Angazhim i rajonit për të parandaluar trafikun e armëve
Të gjitha vendet e rajonit konstatuan se vendosja e një bashkëpunimi të mirëfilltë ndërmjet tyre dhe shkëmbimi i rregullt i informacioneve dhe përvojave, do të ndihmojë shumë në parandalimin e tregtisë së palejuar të armëve..............

Parandalimi i trafikut të armëve jolegale, ulja e numrit të tyre dhe bashkëpunimi i përforcuar mes vendeve të rajonit, ishin temat kryesore të takimit të grupit të ekspertëve të vendeve të Evropën Juglindore dhe grupit evropian, e cila sot u organizua në Shkup.
Të gjitha vendet e rajonit konstatuan se vendosja e një bashkëpunimi të mirëfilltë ndërmjet tyre dhe shkëmbimi i rregullt i informacioneve dhe përvojave, do të ndihmojë shumë në parandalimin e tregtisë së palejuar të armëve.
“Kur bëhet fjalë për parandalimin e trafikut të armëve, është e pashmangshme të kemi bashkëpunim më të fort me të gjitha vendet e rajonit. Takimi i sotëm i grupit rajonal të ekspertëve për armë të vendeve të EJL-së, do t’i definojë detyrat dhe aktivitetet e ardhshme të të gjitha vendeve të rajonit në drejtim të parandalimit të tregtisë së palejuar të armëve”, deklaroi ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.
“Grupi rajonal i ekspertëve duhet të ndihmojë që të ballafaqohemi suksesshëm me krimin e organizuar të armëve, të mundësojë bashkëpunim të mirë mes vendeve të rajonit ashtu siç bashkëpunojnë edhe vetë trafikuesit e armëve”, theksoi prokurori publik, Marko Zvrlevski.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, për TVM-2 thonë se për të parandaluar dukurinë e armëve jolegale, MPB-ja e Kosovës planifikon deri në fund të këtij vitit, një proces të legalizimit të armëve.
“Dihet se rajoni, si Maqedonia dhe Kosova, ne përmendemi si vende transit të armëve dhe ne bëhemi gjithçka që është e mundur në bazë të këtij bashkëpunimi të krijuar, të pakësojmë numrin e armëve. Flitet për një numër mes 350 mijë deri më 450 mijë copë armë. Normal që këto nuk janë të dhëna të verifikuara, por realisht e pranoj faktin se ka një numër të madh të armëve që janë në duart e qytetarëve”, potencoi nga MPB-ja e Kosovës, Mensur Hoti.
Në Maqedoni, deri më tani janë organizuar 3 aksione vullnetare për grumbullimin e armëve jolegale dhe sipas parashikimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendi ynë nuk ka nevojë edhe për një aksion tjetër vullnetar. (Rexhep Qamili, TVM2)
