Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, Ganiu prezantoi projektet për Çairin

20.10.2017 18:29

Visar Ganiu, kandidati nga radhët e BDI-së për kryetar komune në Çair...

Visar Ganiu, kandidati nga radhët e BDI-së për kryetar komune në Çair, vazhdon të promovojë projektet që premton të realizojë në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar nëse merr besimin e tyre më 29 tetor. Sot, Ganiu ka bashkëbiseduar me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, dhe kryetarin tashmë të zgjedhur të Shkupit, Petre Shilegov, rreth kompleksit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, që parashikohet të ndërtohet në Kazermën “Ilinden”. 
 
“Arkitektët që kanë fituar ideja, më e mira u elaborua sot para kryeministrin që erdhi të shohë ku do të ndërtohet universiteti, Qeveria ka ndarë mjete në vitin 2018 dhe vitin e ardhshëm do të fillojë të realizohet. Ky universitet publik do ta kthejë Çairin në komunë universitare, por benefitin do ta ketë e gjithë shoqëria jonë”,- deklaroi kandidati për kryetar komune në Çair nga BDI, Visar Ganiu. 
 
Ndërkohë, Bujar Osmani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me koalicionimet e reja qeveritare që po përfliten ditëve të fundit pas koalicionit për rrethin e dytë mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA. 
 
“Për të gjitha partitë politike që ndajnë vlerat me koalicionin tonë pro europian e pro reformues, i kemi dyert e hapura për bashkëpunim”,- theksoi Bujar Osmani nga BDI. 
 
Ganiu edhe në takimet e ditëve të kaluara ka prezantuar edhe projektet e reja për Çairin, mes tyre edhe garazhet në kate, investimi dhe ndërtimi i së cilave pritet të kushtojë rreth 1 milion e 200 mijë denarë. Garazhe në kate, siç parashihet në Kontratën e Ganiut, pritet të ndërtohen në lokacionet sikurse kompleksi Çairçanja, tek Saat Kulla, tek Teatri Shqiptar si dhe parking nëntokësor tek Sheshi Skënderbeu. Ganiu ka ndarë projektet e tij t’i ndajë me kalimtarët e rastit dhe të marrë mendimin e tyre se si ato i pranojnë projektet e parapara në Kontratën për Çairin 2017-2021. 
 
Ganiu, gjatë takimeve me qytetarët, i ka falënderuar ata për përkrahjen në rrethin e parë të 15 tetorit. Ai ka rikujtuar se gjatë fushatës zgjedhore për rrethin e parë ka vizituar mbi 5 mijë familje me të cilat ka diskutuar tema të ndryshme, perspektiva, ide të ndryshme, që më pas i ka gërshetuar në programin politik për Çairin. Ai theksoi se në raundin e dytë do të marrin një fitore akoma më të thellë.
 
NAIM RAMADANI