Afganistan, 72 të vrarë nga sulmet vetëvrasëse në dy xhami

21.10.2017 13:19

72 persona kanë humbur jetën nga sulmet vetëvrasëse në dy xhami në Afganistan....

72 persona kanë humbur jetën nga sulmet vetëvrasëse në dy xhami në Afganistan.

Këto sulme kanë ndodhur dje në një xhami shiite në kryeqytetin Kabul dhe në një xhamie sunite në provincën qendrore Ghor.

Sulmet po ndodhin në periudhën e valës së dhunës së ndërlidhur sektare dhe terroriste në Afganistanin e përfshirë nga lufta. Përgjegjësinë për sulmin në Kabul e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik. Këto sulme ndodhën një ditë pasi u vranë 43 ushtarë dhe 9 të tjerë u plagosën nga militantët talibanë, në një kamp ushtarak në provincën jugore, Kandahar.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, tha se sulmet tregojnë se “terroristët përsëri kanë ndërmarrë sulme të përgjakshme, por ata nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre djallëzore për t’i përçarë afganët”.

Shtetet e Bashkuara fuqishëm e kanë dënuar sulmin e djeshëm dhe ato të mëparshmet në Afganistan, gjatë javës, në të cilën fluturaket amerikane pa ekuipazh i kanë vrarë më se 30 militantë në rajon.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me qeverinë dhe popullin e Afganistanit dhe do të vazhdojnë t’i mbështesin përpjekjet e tyre për arritjen e paqes dhe sigurisë në vendin e tyre”, tha nëpërmjeet një kumtese, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert.