Shkollimi i të rriturve, pajisen me diploma kandidatët
Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” të Shkupit, sot u pajisën me diploma për kryerjen e shkollës së mesme 100 qytetarë të rritur të Komunës së Çairit dhe 254 të Komunës së Haraçinës.........

Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” të Shkupit, sot u pajisën me diploma për kryerjen e shkollës së mesme 100 qytetarë të rritur të Komunës së Çairit dhe 254 të Komunës së Haraçinës.
Projekti ka filluar të realizohet që nga shtatori i vitit 2011 në komunën e Haraçinës, për të vazhduar në tetor të vitit 2012 edhe në Komunën e Çairit dhe përfundoi sot me sukses, theksuan drejtori i shkollës së mesme, “Cfetan Dimov” dhe drejtoresha e Qendrës për të Rritur.
“Në emrin tim dhe në emër të stafit të shkollës së mesme “Cfetan Dimov” të qytetit të Shkupit, ju uroj për marrjen e diplomave sot, ju uroj për punën që e keni bërë, ndjekjen e mësimit dhe pajisjen me arsim të mesëm këtu në Qendrën tonë”, deklaroi drejtori i shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, Shaip Zeneli.
“Qendra për Arsimin e të Rriturve, duke u nisur nga interesi që është për arsimimin e të rriturve, do të vazhdojë me implementim edhe në të ardhmen, me zgjerim nëpër komunat tjera”, - theksoi drejtoresha e Qendrës për Arsimin e të Rriturve, Lindita Qazimi.
Me realizimin e këtij projekti, po përmirësohet një gabim i së kaluarës, kur paralelet shqipe në Shkup ishin të kufizuara, theksuan kryetarët e Çairit dhe Haraçinës, Izet Mexhiti dhe Brahim Ajvazi.
“Unë mendoj se kështu përmirësohet një gabim i të kaluarës, ku sidomos në qytetin e Shkupit, shqiptarët e Shkupit nuk kanë pasur mundësi për ta zhvilluar procesin për të vijuar në shkollat e mesme, sepse kanë qenë të kufizuara paralelet, ka pasur dy tre paralele për tërë qytetin e Shkupit, tani po përmirësohet ky gabim”, potencoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Një numër i madh i të rinjve, për shkak të largësisë dhe kushteve të ndryshme, nuk kanë mundur të pajisen me shkolla të mesme, kjo është një shans i mirë, shihet se ky është grupi i tretë nga Komuna e Haraçinës që kryejnë shkollën e natës, të mesmen”, - tha kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Projekti për arsimimin e të rriturve do të vazhdojë të realizohet edhe në komunat tjera, u tha me këtë rast. (Gyltene Sinani, TVM2)
