NATO-MAQEDONI

NATO mban dyert e hapura

25.06.2014 16:09

Kjo gjë u bë e ditur nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Ramussen, i cili në deklaratën e tij u shpreh se Aleanca nuk do të lejojë vënien e vetos për zgjerimin nga shtete të treta.......

Dyert e Aleancës Veriatlantike vazhdojnë të mbeten të hapura për zgjerim, megjithatë NATO nuk do t’u bëjë ftesë për anëtarësim Maqedonisë, Malit të Zi dhe Gjeorgjisë në Samitin e radhës në shtator.

Kjo gjë u bë e ditur nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Ramussen, i cili në deklaratën e tij u shpreh se Aleanca nuk do të lejojë vënien e vetos për zgjerimin nga shtete të treta.

“Ne mbrëmë kishim diskutim konstruktiv për politikën tonë derëhapur dhe për përparimin e katër vendeve, të cilat duan të anëtarësohen në NATO. Në Samitin në Uells, në shtator do të shënojmë zgjerimin dhe do të vazhdojmë me të dhe të jem i qartë, dera e NATO-s mbetet e hapur dhe nuk do të ketë veto nga vendi i tretë për zgjerimin”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Ramussen.

Mosftesa për Maqedoninë, komentohet edhe nga analistët politik në vend. Profesori universitar, Arsim Sinani, shprehet se Maqedonia i di detyrat e veta të shtëpisë, të cilat ia ka dhënë NATO-ja dhe se anashkalimi bëhet me qëllim për t’ia bërë me dije Maqedonisë se obligimet, të cilat i kanë marrë për të debllokuar procesin, nuk i kanë mbaruar.

“Institucioni NATO, është institucion shumë i rëndësishëm, shumë serioz dhe mendoj se anashkalimi i cili bëhet, bëhet për të dhënë një sinjal. Mendoj se është një fakt mjaft shqetësues për qytetarët, për opinionin publik, për shkak se derisa nuk përmendet Maqedonia, mendoj se në një farë forme fillon një lloj ndëshkimi për moskryerjen e obligimeve të cilat i ka ky vend”, theksoi analisti politik, Arsim Sinani.

Deklarata e tillë e Rasmusen pasoi pas përfundimit të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët u mblodhën dje për të diskutuar mbi progresin e vendeve kandidate, ndër të cilat është edhe Maqedonia. (Mefail Ismaili, TVM2)