Maqedoni

Bogovinë, digjet shkolla e Novosellës, hetohen shkaqet

23.10.2017 13:18

Është djegur tërësisht Shkolla Fillore “11 tetori” në fshatit Novosellë të komunës së Bogovinës...

Dyshohet se shkak i zjarrit mund të jetë instalimi i vjetër elektrik. Përveç shkollës është djegur edhe një veturë dhe një kasolle aty pranë. Në këtë shkollë mësimin e vazhdonin 207 nxënës. Shkolla është rinovuar në vitin 2011, me fonde nga Banka Botërore, në kuadër të projektit “Shkolla me efikasitet energjetik”. 
 
“Me të marrë lajmin, ne kemi dalë në terren dhe kemi arritur në vendngjarje me tre automjete kundër zjarrit dhe me tetë zjarrfikës, ku dy orë e gjysmë për ta vendosur nën kontroll këtë zjarr, faktikisht më se dy orë kemi luftuar me zjarrin, deri sa intervenonim në shkollë u kaplua nga zjarri dhe një objekt tjetër, por bashkë me zjarrfikësit dhe banorët e fshatit Novosellë që na ndihmonin gjatë gjithë kohës, zjarri u vu shpejt nën kontroll”, – tha komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve – Tetovë, Uka Aliti. 
 
“Kjo është shkollë territoriale me 207 nxënës të shpërndarë në 13 paralele.  Momentalisht ende nuk e kemi idenë se si do e organizojmë procesin edukativo-arsimor. Për momentin edhe nuk kemi informatë të saktë a është në pyetje rryma apo diçka tjetër, nuk e dimë”,- tha drejtori i Shkollës Qendrore “11 Tetori”, Aziz Jakupi.