Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, vazhdojnë takimet e BDI-së në terren

23.10.2017 15:53

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, vazhdon me vizitat në teren në vigjilje të rrethit të dytë zgjedhor...

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, vazhdon  me vizitat në teren në vigjilje të rrethit të dytë zgjedhor në të gjitha komunat ku BDI garon në balotazh, për t’iu dhënë përkrahje parezervë kryetarëve të ardhshëm të komunave nga radhët e BDI-së. Ahmeti sonte do të qëndrojë në Zhelinë, Vrapçishtë dhe Çegran, për të takuar strukturat partiake dhe qytetarët e këtyre anëve dhe për t’i siguruar ata që BDI, me të gjitha kapacitetet e saj, qëndron prapa Fatmir Izairit në Zhelinë, Gajur Rushitit në Vrapçishtë dhe Nevzat Bejtës në Gostivar.
 
Bashkëpunimi me pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ janë garanci më e mirë për zbatim të programit të kandidatëve për kryetar komunash dhe Ahmeti do t’i sigurojë qytetarët që qëndron pas realizimit të zotimeve programore të BDI-së në çdo komunë. Strukturat e BDI-së në Tetovë, ndërkohë, vazhdojnë punën në terren për të bindur qytetarët që edhe një herë në 29 tetor ta japin votën për kandidaten e BDI-së, Teuta Arifin. Këtyre ditëve janë mbajtur takime të shumta në malësinë e Tetovës.
 
“Ne si opsion jemi më i miri për shumë arsye dhe një nga arsyet është edhe kjo përbërje dhe me njerëz që kur e japin fjalën i rrinë pas. Kemi ardhur me këtë përbërje, unë e thash edhe një herë dhe e përsëris prapë, sidomos për këtë pjesë të Malësisë ndaj edhe vet një kënaqësi të dyfishtë, por edhe një përgjegjësi sepse i takoj por edhe emocionalisht dhe familjarisht kam qenë i lidhur mjaft me këtë pjesë”,- u shpreh shefi i shtabit zgjedhor në Tetovë – BDI, Bekim Maksuti.
 
Mbështetje Arifit i ka dhënë edhe Fatmir Dehari, kandidati i BDI-së për Kërçovën, që tashmë ka fituar bindshëm që në rrethin e parë të zgjedhjeve. Në kohëra të vështira fshatrat e Malësisë së Tetovës kanë dalë në ndihmë, i kanë mbështetur, strehuar, udhëzuar dhe ushqyer luftëtarët tanë, andaj nuk mund të shmangemi nga nevoja për t’i vizituar banorët, për t’i kuptuar dhe dalë në ndihmë problemeve, ka deklaruar  Dehari.
 
“Kjo është pak që njeriu mund të bëjë një vizitë për ju. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë shumë e më shumë, por jemi të bindur se nuk do të lëmë asnjë pëllëmbë të shqiptarëve pa ia dhënë hakun që ju takon që nga Bozovca deri në Likovë. Edhe unë se jam larg në distancë nga Kërçova, gjithashtu vi si brumë i juaji, meqë e përmenda, në kohë më të vështira keni qenë pranë nesh”,- theksoi Fatmir Dehari nga BDI.
 
Të pranishmit e tjerë në këto takime potencuan se vota nuk mund të shkojë për individë dhe parti që në këto zgjedhje kanë hyrë pa platformë e projekte, por vetëm me akuza ndaj kundërkandidatëve të tyre. Ata kërkuan votën për kandidaten e BDI-së, Teuta Arifin, edhe për një mandat, sepse “Arifi ka treguar se di të punojë dhe tani do të punojë edhe më shumë për Tetovën, pasi ka mbështetje e mirëkuptim edhe nga qeveria reformatore”.
 
Gjatë gjithë javës, Ahmeti dhe ekipe të funksionerëve të BDI do të vijojnë me vizita në të gjitha komunat ku zhvillohet balotazhi i zgjedhjeve lokale për të shprehur përkrahjen e plotë për kandidatët e BDI-së, në mënyrë që të rikonfirmohet fitorja e rrethit të parë zgjedhor të 15 tetorit. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI