Avokati i popullit, gjendja nëpër institucione alarmante
Një fëmijë shurdhmemec është gjetur i lidhur me litar në Institutin për Fëmijë me Nevoja të Veçanta, ka njoftuar sot avokati i popullit, Ixhet Memeti........

Një fëmijë shurdhmemec është gjetur i lidhur me litar në Institutin për Fëmijë me Nevoja të Veçanta, ka njoftuar sot avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Ai tha se në këtë institucion nuk ka përkujdesje adekuate sipas nevojave të këtyre personave dhe se Qendra për Punë Sociale po miraton vendime të gabuara.
Avokati i popullit, duke prezantuar raportin vjetor të mekanizmit parandalues nacional për vitin 2013, potencoi se gjatë kësaj periudhe janë vizituar 10 stacione policore,7 burgje,1 Ent ndëshkues korrektues, 3 pika të kalimit kufitar, 2 qendra për të huaj dhe azilant, 3 institucione për persona me nevoja të veçanta, 4 institucione për përkujdesjen e fëmijëve, Klinikën e Psikiatrisë dhe Drejtorinë e Doganave. Ky raport alarmon për gjendjen e rëndë në burgje, institucionet ndëshkuese dhe ato të privimit nga liria.
“Kjo dukuri është shqetësuese, kur informojnë me shkrim se po pranojmë rekomandimet, ashtu janë gjendjet dhe do t’i përmirësojmë, në anën tjetër, nuk marrin veprime për përmirësimin e tyre. Në përgjithësi, sa u përket burgjeve, gjendja në to, në vende të ndryshme, jo që është përmirësuar, por ka raste ku është keqësuar”, deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Gjendje e rëndë është konstatuar në burgun e Tetovës. Rritja e numrit të paraburgosurve ndikon mbi realizimin e të drejtave të tyre dhe të njëjtit janë vendosur në kushte jo humane, ku mbrojtja shëndetësore edhe më tej paraqet rrezik.
“Vazhdojnë ankesat se ka dhunë dhe trajtim johuman nga ana e shërbimeve të Entit Ndëshkues Korrektues të Tetovës, për çka me raport të veçantë është alarmuar Ministria e Drejtësisë, e cila nuk ka ndërmarrë masa. Shqetëson gjendja se ankesat janë për të njëjtët nëpunës, që çon në përfundim se sistemi i ndëshkimit është joefikas në rastet e trajtimit johuman ose brutal”, theksoi Memeti.
Të drejtat e tyre nuk gëzojnë edhe personat që ndodhen në Qendrën për Azil dhe Qendrën për të Huaj dhe Emigrant dhe institucione të tjera. Raporti në fjalë i dërgohet Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës pranë Kombeve të Bashkuara. (Florije Kamberi, TVM2)
