Rama përjashton Tahirin, kundër arrestimit të tij pa prova; Basha: Rama shkel ligjin për të mbrojtur Tahirin

23.10.2017 17:30

Pas kërkesës së Prokurorisë së krimeve të rënda për arrestimin e Saimir Tahirit....

Pas kërkesës së Prokurorisë së krimeve të rënda për arrestimin e Saimir Tahirit, kryeministri, Edi Rama, ka vendosur ta pezullojë ish-ministrin e brendshëm nga çdo post në Partinë Socialiste, por ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër arrestimit.

“Të arrestojnë një deputet pa e marrë në pyetje, le pastaj pa prova? Ku u gjet ky zell i panjohur i një prokurorie që nuk ka lëvizur një gisht që kur ka lindur. As për prova e fakte që shihen ashiqare si të dyshimta nuk kanë lëvizur, le më për përgjime. Kurrë! Asnjëherë! Hiç! Asnjë gisht nuk lëvizi kjo prokurori me një bilanc memec. Me 4 fletë bakalli duan të fusin në burg një deputet”,- deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama.

Por, Lulzim Basha i Partisë Demokratike ka reaguar ashpër. Ai i ka kërkuar diplomatit amerikan dhe të Bashkimit Europian të reagojnë ndaj qëndrimit të Ramës dhe të vihet drejtësia në vend.

“Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të mbrojtur Saimir Tahirin sepse është peng i lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit. Drejtësia është e nëpërkëmbur dhe e kërcënuar me këtë qëndrim të Edi Ramës. Vendi është në krizë totale kushtetuese. Edi Rama ka marrë fund si kryeministër. Rama ka frikë nga hetimet pasi ato do të zbulojnë lidhjet e tjera të kupolës me krimin”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim. Ata kanë deklaruar votën e tyre pro arrestimit në seancën plenare të së mërkurës ku do të votohet nëse Saimir Tahiri do të arrestohet apo vetëm do t’i hapet rrugë hetimit rrënjësor të tij. Saimir Tahiri dyshohet si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Emri i tij doli në përgjimet e Antimafias Italiane nga dy trafikantë, kushërinj të tij. Në përgjime thuhej se Tahiri, i specifikuar si shefi i madh, i krijon lehtësi për trafikun dhe se një pjesë e parave të drogës shkojnë në xhepin e tij. (Luljeta Ndoka, TVM2)