Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA takime me qytetarët në Çair

23.10.2017 17:57

Lëvizja BESA ka vazhduar me takimet nëpër shtëpi me qytetarët e rrugës së “Xhon Kenedit”....

Lëvizja BESA ka vazhduar me takimet nëpër shtëpi me qytetarët e rrugës së “Xhon Kenedit” dhe të lagjes “Fushë Topanë” në komunën e Çairit.

Kandidati për këtë komunë, Zeqirija Ibrahimi, është i mendimit se takimet janë mënyra më e mirë për të prezantuar ofertën e tyre dhe për të kërkuar besimin e banorëve.

Ibrahimi u premtoi qytetarëve se nëse e fiton besimin, ai do të jetë në shërbim të tyre. Lëvizja BESA për këtë komunë paralajmëron shumë projekte për përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve, duke u mundësuar fasada për të gjitha ndërtesat e vjetra me participim të banorëve, arsim më cilësor, zhvillim më të madh ekonomik, ndërtimin e sallave të reja sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

“Ajo që ne na dallon nga të tjerët është se ne jemi një forcë e re politike e cila nuk ka qenë më herët në pushtet në komunën e Çairit dhe ne ofrojmë luftë kundër korrupsionit, krimit dhe mafisë urbane. E kemi thënë shumë herët po ashtu se do ta ç’lirojmë Çairin nga të gjitha format e presionit veçanërisht presionit që është ushtruar mbi arsimtarët dhe do të bëjmë të pamundurën që të gjitha shkollat e Çairit të pajisen me karrige, banka dhe gjithçka tjetër që nënkupton arsim bashkëkohorë”,- tha kandidati për kryetar në komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi.

Ibrahimi gjithashtu thotë se do të punojë fuqimisht për avancimin e kulturës shqiptare, për të krijuar një shtëpi funksionale të kulturës, do të angazhohet për t’i dhënë fund kaosit të madh rrugor, të ketë më shumë vende për parking dhe se do të shtojë hapësirën e gjelbër në këtë komunë. Në listën e projekteve të Lëvizjes BESA për këtë komunë është edhe rrjeti i qëndrueshëm kanalizues dhe fekal.

“Në Çair ka shumë probleme me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, kështu që sa do të ulemi në komunën e Çairit seriozisht do të merremi me këto çështje. Do të duhet të kujdesimi që rrjetin ekzistues të kanalizimit të jetë funksional, aty ku është zënë rrjeti të pastrohet, aty ku është vjetruar të  bëhet zëvendësimi adekuat i rrjetit, ndërsa aty ku nuk ka fare rrjet, të instalohet rrjet i ri kanalizues ose fekal. Këto janë gjëra të cilat e kam thënë shumë herë, nuk duhet asnjë qytetar të jetë falënderues pse ne i bëjmë për faktin e keq, sepse ky është detyrimi ynë në qeverisjen e komunës”,- theksoi kandidati për kryetar në komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi.

Lëvizja BESA gjithashtu premtoi transparencë të madhe me menaxhimin e parave komunale, mbështetjen e biznesit privat si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ky subjekt politik parashikon edhe miratimin e planit urbanistik për Çarshinë e Vjetër, rinovimin e rrjetit nëntokësor në Çarshi, meremetimin e objekteve me vlerë kulturore, internet pa pagesë në Çarshi dhe garazh në afërsi të Kalasë së Shkupit. Ata thanë se do të përforcojnë bashkëpunimin me OJQ-të dhe sot do të punojnë për ta adaptuar parkun e çairit për aktivitet të ndryshme kulturore në të ardhmen. Lëvizja BESA do të angazhohet për t’i furnizuar bibliotekat e shkollave me libra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Lëvizja BESA fushatën për rrethin e dytë zgjedhor do ta vazhdojë me realizimin e takimeve të përditshme me qytetarët në komunat ku ajo garon. (Rexhep Qamili, TVM2)