Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, LSDM në Draçevë dhe Makedonski Brod

24.10.2017 14:20

LSDM-ja vazhdon fushatën e saj për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në Draçevë të Shkupit dhe në Makedonski Brod...

Në takimet me banorët e këtyre komunave, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, kërkoi mbështetjen e banorëve për kandidatët për kryetar në komunat e Kisella Vodës, Zoran Temellkovskin, dhe të Makedonskit Brodit, Zhivko Siljanovskin, duke u garantuar se ata dy do të jenë në shërbim të plotë dhe se do të punojnë për të mirën e qytetarëve.
 
Zaevi garanton se kandidatët e LSDM-së për pushtetin lokal do të punojnë për të krijuar vende të reja të punës dhe se do të mundësojnë zhvillim më të madhe ekonomik. 
 
“Këto debate që po i hap LSDM-ja nëpër gjithë vendin do të jenë praktikë e ardhshme e funksionimit të pushtetit lokal por edhe e atij qendror. Ne kemi për qëllim të jemi në shërbim të qytetarëve, kemi për qëllim me vëmendje dhe përkushtim të madh t’i dëgjojmë kërkesat dhe këshillat e qytetarëve, sepse ne nuk e konsiderojmë vetën si më të mençur. Gjithë pushteti lokal në botë punon në interes të qytetarëve dhe unë jam i bindur se këta kandidatë do ta praktikojnë këtë gjë”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Kandidati për kryetar në komunën e Kisella Vodës, Filip Temellkovski, u zotua se do t’i ndihmojë banorët e Draçevës të zgjidhin problemet me legalizimin e pronave të patundshme. Temellkovski gjithashtu tha se do të punojë për të rritur sigurinë e qytetarëve, do të zgjidh kaosin rrugor dhe se do të shtojë rrugicat për biçiklizëm dhe trotuaret për këmbësorë.
 
“Në mandatin tim 4-vjeçar u premtoj së në bashkëpunim me pushtetin qendror dhe me ju do të gjejmë zgjidhje për problemet e shumta pronësore që keni me kadastrën dhe me legalizimin e objekteve të banimit. Ju premtoj se kjo do të jetë punë e përfunduar në mandatin tim të ardhshëm dhe të gjithë banorët e kësaj zone do të mund t’i gëzojnë një herë e përgjithmonë pronat e tyre pa pasur probleme juridike”,- tha kandidati për kryetar komune në Kisella Vodë – LSDM, Fillip Temelkovski.
 
Edhe kandidati për kryetar në komunën e Makedonski Brodit, Zhivko Siljanovski, kërkoi besimin e qytetarëve për këtë komunë. 
 
“Të nderuar miq, kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën e zgjedhjeve, për këtë arsye ju bëj thirrje që të inkurajoni njëri-tjetrin për të rrethuar të dielën numrin 19, sepse vota e juaj për këto zgjedhje do të thotë votë për jetë në Makedonski Brod”,- theksoi kandidati për kryetar në komunën Makedonski Brodit, Zhivko Siljanovski.
 
Të dy kandidatët e LSDM-së për këto dy komuna u zotuan se do të punojnë për të parandaluar migrimin e të rinjve jashtë vendit. Ata thanë se do të punojnë për të krijuar kushte më të mira në arsimin fillor, për të hapur më shumë vende të reja për fëmijët nëpër çerdhe dhe se do të kujdesen për mjedisin jetësor.  
 
REXHEP QAMILI