Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI takoi banorët e Zhelinës dhe Gostivarit
24.10.2017 15:05
Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar aktivitetet zgjedhore në Zhelinë, Vrapçisht e Gostivar në mbështetje të kandidatëve për rrethin e dytë zgjedhor...

Kreu i BDI-së ftoi banorët e Gostivarit dhe Vrapçishtit që të mbështesin Nevzat Bejtën edhe për një mandat në mënyrë që të realizojë programin e tij të hartuar së bashku me ekipin e tij, teksa u zotua se së bashku me ekzekutivin do të qëndrojnë në dispozicion për ta zbatuar atë me përpikshmëri.
“Mendoj se është në të mirë të Çegranit dhe Gostivarit në përgjithësi që të mbështetet projekti, të mbështetet programi i hartuar dhe i përpunuar nga të gjithë këshilltarët, kryesuesi i këshillit, kandidati për kryetar dhe u them me sinqeritetin më të madh që Bashkimi Demokratik për Integrim, i tërë ekzekutivi, dhe unë personalisht, Ali Ahmeti, qëndroj pas gjithë këtyre”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kandidati për të parin e komunës së Gostivarit nga radhët e BDI-së, Nevzat Bejta, tha se janë realizuar shumë projekte teksa premtoi se do të vazhdohet me zbatimin e projekteve të reja në dobi të qytetarëve. Ai tha se do të angazhohet të zgjidhë problemin me deponinë, ujin e pijshëm, të hapë zona të lira ekonomike dhe krijimin e vendeve të lira të punës.
“Si projekt kryesor që e përfshin vendbanimin tuaj, që është projekt shumë i madh, është ndërrimi i rrjetit të ujësjellësit në të gjithë qytetin e Gostivarit. Paratë ne i kemi siguruar, përafërsisht janë 16 milion euro që janë ndarë mjete të pakthyeshme për komunën e Gostivarit që të zgjidhet problemi i rrjetit të ujësjellësit në të gjithë komunën e Gostivarit”,- tha kandidati për kryetar të Gostivarit - BDI, Nevzat Bejta.
BDI ka realizuar takime edhe me banorët e komunës së Zhelinës. Kandidati për këtë komunë, Fatmir Izari, bëri thirrje që të dielën dalja në votime të jetë sa më e madhe, teksa tha se do të angazhohet për të gjithë banorët njësoj.
“Do të mundohem se vendbanimet e Zhelinës të kenë në njëjtin tretman që t’i largojmë ndarjet Pollg dhe Dërven dhe unë këtë nuk e bëra vetëm me fjalë për arsye se vendbanimet e Dërvendit sot janë të gjitha të urbanizuara. Ndërtuam tre shkolla, tre i rekonstruam gati se të reja, ndërtojmë rrugë dhe punojmë për të çuar ujësjellësin”,- theksoi kandidati për kryetar të Zhelinës – BDI, Fatmir Izairi.
Para banorëve të komunës së Zhelinës foli edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai tha se BDI ishte dhe mbetet çelësi për çuarjen e të gjitha proceseve në dobi të qytetarëve. Zhelina meriton të ecë përpara, ndërsa ky hapërim bëhet vetëm me Fatmir Izairin si kryetar komune, tha mes tjerash Ahmeti.
NAIM RAMADANI
