Zgjedhjet 2017, Kasami akuzon Arifin për keqpërdorime

24.10.2017 16:27

Kandidati për kryetar në komunën e Tetovës nga radhët e Lëvizjes BESA, Billall Kasami....

Kandidati për kryetar në komunën e Tetovës nga radhët e Lëvizjes BESA, Billall Kasami, akuzoi kryetaren aktuale të Tetovës, Teuta Arifin, për keqpërdorim të buxhetit të komunës për njerëz që i kryejnë shërbime personale asaj, duke shfrytëzuar linjën buxhetore të kontratave mbi vepër.

“Gjatë kësaj periudhe katërvjeçare të qeverisjes së saj të dështuar u evidentuan harxhime marramendëse për shpenzimet e saj dhe stafit si dhe për punësime të personave me kontratë mbi vepër, kryesisht militantë partiakë dhe grupe interesi, që këto shërbime ia "shpaguajnë" kryetares në ikje, duke shpifur ultë për çdokënd që i zbulon dhe i shpërfaq këto fakte korruptive”,-  tha Kasami duke publikuar edhe shifrën e mjeteve te harxhuara.

“Sipas informatave tashmë të publikuara nga organizata që monitorojnë komunën, 113.6 milionë denarë janë shpenzuar për kontrata mbi vepër    (1 milion e 830 mijë euro), ndërsa e pushtuar nga paniku i humbjes tashmë vijnë informata se ajo nënshkruan dhjetëra kontrata të tilla të shërbimeve mbi vepër për periudhën pesëmujore, e të cilat në fakt janë shërbime që i ofrohen vetëm asaj, e jo qytetarëve të komunës”,- deklaroi kandidati për kryetar në komunën e Tetovës nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami.

Kasami gjithashtu lëshoi edhe akuza tjera ndaj Arifit, duke e akuzuar se po tenton të blejë vota, madje edhe të bëjë punësime fiktive.

“Teuta Arifi bën shkelje të dyfishtë, jo vetëm duke keqpërdorur buxhetin komunal, por edhe duke shkelur Kodin Zgjedhor, duke keqpërdorur mjetet e komunës, si dhe duke shfaqur tendencën që të korruptojë njerëz dhe të blejë votën. Me këtë rast pyesim publikisht: sa u kushtoi tetovarëve nga taksat e tyre një votë për këtë kryetare të dështuar, sidomos kur këto punësime fiktive bëhen në kundërshtim të plotë me sistematizimin e vendeve të punës dhe në kundërshtim me çdo procedurë administrative?”,- tha kandidati për kryetar komune në Tetovës nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami.

Kasami u bëri thirrje organeve të rendit që të hetojnë sa më parë këto keqpërdorime të cilat, sipas tij, vazhdojnë gjatë katër viteve në komunën e Tetovës, ndërsa kanë arritur kulmin tani në këtë periudhë të zgjedhjeve kur buxheti i komunës është duke u keqpërdorur nga kryetarja në ikje, Teuta Arifi.

Kasami po ashtu u zotua se nëse bëhet kryetar komune, të gjitha të dhënat do të bëhen publike në ditën e parë të punës së tij si kryetar dhe të gjithë keqpërdoruesit do të nxirren para drejtësisë. Kasami është takuar sot edhe me përfaqësues të biznesit në Tetovë. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)