Uji në Tetovë, IShP: Nuk e rekomandojmë për pije, i presim analizat
Uji në Tetovë nuk rekomandohet për pije, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik pas analizave të para...
Por, Nga instituti thonë se uji përmban shije jo të zakonshme, por rezultatet përfundimtare do të dalin pas analizës së zgjeruar.
Pas deklaratave të “Eco Guerillës”, se uji në Tetovë ditët e fundit mban erë të çuditshme, si ajo e pesticideve kimike dhe nuk është i mirë për pije, Instituti për Shëndet Publik në këtë qytet ka bërë analiza të mostrave të ujit.
“Ka shije të re, nuk ka erë. Prej dje jemi të njoftuar dhe i kemi bërë analizat fillestare. Sipas tyre, uji i pijshëm në Tetovë është në korniza të normales. Nesër do t’i publikojmë rezultatet e dyta, ndërkaq Instituti për Shëndet Publik në Shkup po bën analizë të zgjeruar për rastin në fjalë. Ka shije jo të zakonshme dhe për atë nuk kemi bazë që të themi se e ndalojmë për përdorim, por nuk e rekomandojmë të përdoret derisa të dalin edhe rezultatet prej analizës së zgjeruar, të cilën presim ta marrim të enjten”,- thonë nga Instituti për Shëndet Publik.
Analizat normalisht bëhen për 72 orë dhe pas këtij afati mund të zbulohen edhe arsyet se pse uji mban erë jo të zakonshme.
“Rezultatet e para kanë dalë sot, ndërkaq të dytat nesër shpresojmë t’i publikojmë, por 99% është në rregull”,- thonë nga Instituti i Shëndetit Publik në Tetovë. (Ersan Pajaziti, TVM2)