Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA takim me banorët e Fushë Tophanës
25.10.2017 13:31
Lëvizja BESA vazhdoi dje takimet me banorët e lagjes së Fushë Tophanës. Me këtë rast kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Zeqirija Ibrahimi...

Lëvizja BESA vazhdoi dje takimet me banorët e lagjes së Fushë Tophanës. Me këtë rast kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Zeqirija Ibrahimi, u premtoi atyre se nëse ia japin votën më 29 tetor, ai do të jetë në shërbim të tyre dhe do të punojë për zgjidhjen e problemeve të tyre, pavarësisht bindjeve politike dhe përkatësisë etnike dhe religjioze. Sipas tij, Lëvizja BESA premton jetë më cilësore për banorët e komunës së Çairit.
Ai më tej shtoi se “Lëvizja BESA do të jetë transparente, do të luftojë korrupsionin dhe presionin politik. Do të punohet me përkushtim për zhvillim ekonomik të komunës, për hapjen e vendeve të reja të punës si dhe për një mirëqenie për të gjithë banorët e kësaj komune”,- tha Ibrahimi. Sipas tij, detyrë parësore kur të ulet në karrigen e parë të Çairit do të jetë që komuna t’u kthehet qytetarëve dhe të eliminohet trysnia politike ndaj të gjithë qytetarëve të punësuar në administratën komunale.
“Komuna e Çairit do të jetë e angazhuar që të stimulojë bizneset e vogla. Do të krijohen fonde nga buxheti i komunës për të ndihmuar bizneset e reja e sidomos për të stimuluar të rinjtë. Në komunën e Çairit ka edhe kaos urban, ku njerëz të caktuar me leje të komunës kanë uzurpuar hapësirat publike, andaj ne do punojmë me përkushtim për zgjidhjen e problemeve”,- tha Ibrahimi.
“Problemet e qytetarëve të komunës së Çairit janë të shumta dhe ato nuk janë më të panjohura për asnjë qytetarë të komunës së Çairit. Secilin që mund ta pyesni në Çair e ka të lehtë të identifikojë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunë së Çairit. Ne u kemi thënë se do kemi zgjidhje urgjente për kanalizimin në komunën e Çairit, problemin me parkingjet në komunën e Çairit dhe në gjashtëmujorin e parë të bëjmë një pastrim gjeneral të Çairit, të vendosim standarde të tjera të pastërtisë në komunën e Çairit dhe të angazhohemi për kultivimin e hapësirave të gjelbra që dita-ditës po zhduken për shkak të uzurpimit të hapësirave publike që i ka bë qeveria e deritanishme në komunën e Çairit”,- theksoi kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga Lëvizja BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit, për emancipimin e një kombi është tejet i rëndësishëm arsimimi, andaj Lëvizja BESA do të angazhohet maksimalisht për përmirësimin e cilësisë në arsim. Ai shtoi se me përkushtim do të punohet për sigurimin e kushteve të volitshme për proces të mirëfilltë edukativo-arsimor.
“Përveç depolitizimit të arsimit që jemi zotuar se do bëhet doemos, ne jemi zotuar në ngritjen e cilësisë së arsimit duke i angazhuar nxënësit e shkollave fillore dhe arsimtarët që sa më shumë të lexojnë dhe detyra jonë në shkolla është që të ketë bibliotekë që gjithë nxënësit të kenë literaturë të mjaftueshme”,- theksoi kandidati për kryetar komune në Çairit - Lëvizja BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit, Lëvizja BESA do të sigurojë jetë të re në Çair, andaj ai ftoi banorët e kësaj komune që në rrethin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet të dielën, të votojnë numrin 14, në mënyrë që me votën e tyre vetë banorët të vendosin për të çliruar Çairin e për t’i mundësuar Lëvizjes BESA që në vepër të realizojë të gjitha premtimet e dhëna.
FLUTURA LATIFI
