Maqedoni
Dimitrovi takon Pacollin: Vendimi për UNESCO-n, parasysh interesi rajonal
25.10.2017 16:03
Thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik si dhe Lëvizja e qytetarëve midis Maqedonisë dhe Kosovës...

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik si dhe Lëvizja e qytetarëve midis Maqedonisë dhe Kosovës, kanë qenë në fokus të bisedimit mes ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimotrov, dhe homologut të tij nga Kosova, Behxhet Pacollit.
Vendimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESKO Maqedonia do ta marrë në kuadër të interesave të Kosovës, Serbisë dhe interesave të saj që përfshin edhe shqiptarët e Maqedonisë, deklaroi Dimitrov.
“Maqedonia këtë çështje e trajton me vëmendje të veçantë, sepse bëhet fjalë për çështje që i ndan dy fqinjët tanë, të cilët duam të jenë në të njëjtën anë. Ne nuk do të kemi rol vendimtar në këtë proces, pasi kjo i tangon dy fqinjët tanë dhe kur të vijë në rend dite do ta kemi parasysh interesin e miqve tanë nga Kosova, interesin e miqve tanë nga Serbia dhe kuptohet do të sjellim vendim në përputhje me interesat e Maqedonisë, përfshirë edhe interesat e bashkëqytetarëve tanë shqiptarë”,- deklaroi ministri i Jashtëm i RM-së, Nikolla Dimitrov.
Shefi i Diplomacisë kosovare pret që dy vendet fqinje të ndihmojnë njëra- tjetrën dhe Kosova të bëjë çmos për të dhënë kontribut që Maqedonia të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s.
“Maqedonia është një vend i cili është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Kosovës, është i rëndësishëm në përcjelljen e Kosovës në rrugëtimin e vetë si shtet i ri, është i rëndësishëm për sigurinë e Kosovës, për këtë insistojmë dhe do të bëjmë çmos aty ku mundemi të japim kontributin tonë konstruktiv që Maqedonia sa më parë të jetë anëtare e NATO-s”,- tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Dy ministrat gjatë takimit në Shkup janë dakorduar që të mbajnë seancë të përbashkët të dy qeverive në fillim të vitit të ardhshëm. Kosova dhe Maqedonia kanë kornizë solide juridike të bazuar në 19 marrëveshje bilaterale dhe shumë nisma të tjera, tha Dimitrov, duke e cilësuar Kosovën si partnere të rëndësishme ekonomike.
Ndërkaq, ministri Pacolli tha se kanë diskutuar edhe për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore, heqjen e barrierave në transport, tregtinë dhe rritjen e shkëmbimit të mallrave. Gjatë qëndrimit në Shkup, Pacolli takoi edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe kryeministrin Zaev.
NAIM RAMADANI
