Zgjedhjet lokale 2017, Sadiku i vazhdoi takimet me banorët e Studeniçanit
Kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare për kryetar komune në Studeniçan, Azem Sadiku....

Kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare për kryetar komune në Studeniçan, Azem Sadiku, ka vazhduar takimet me banorët e vendbanimeve që gravitojnë në këtë komunë.
Duke kërkuar mbështetje për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, Sadiku u zotua se të gjitha projektet që i ka premtuar do të mundohet maksimalisht që t’i realizojë me përpikëri. Ai thotë se si në raundin e parë edhe në të dytin qytetarët e komunës së Studeniçanit do të vlerësojnë punën e jo premtimet e rrejshme.
“Kam ndryshuar pamjen e vendbanimeve të komunës së Studeniçanit, ndërsa banorët e kësaj komune këtë e përjetojnë dhe në bazë të asaj pune më kanë dhënë përkrahjen maksimale që mund t’i jepet ndonjë kandidati. Kjo mua më obligon që të jem shumë serioz edhe në premtimet që i kam në programin tim dhe maksimalisht do të mundohem që t’i realizoj”,- deklaroi kandidati për kryetar të Studeniçanit nga PDSh, Azem Sadiku.
Sadiku premtoi se të gjitha vendbanimet e fshatit Pagarushë, njësoj si dhe vendbanimet e tjera, gjatë këtij mandati do të ndërtohen, nuk do të ketë asnjë qytetar që të ecë nëpër baltë.
“Kësaj radhe në program e kam që komplet rruga që lidh fshatin Pagarush, Vërtekic, të bëhet rikonstruimi i plot i asaj rruge. Mundohem që edhe banorët e këtyre vendbanimeve të kenë mundësi për një qarkullim të lirë dhe kushte më të mira për jetesë. Në program kam që të ndërtohet rruga nga fshati Koliçan i epërm deri në Kitkë, me atë do t’i jepet kahje zhvillimet ekonomike të komunës tonë, pasi që aty është vend i përkryer për turizëm. Projekt tjetër me rëndësi është rikonstruimi i rrugës që lidh fshatrat Osinçan, Elov dhe Maja e Zezë, pra e kemi në plan që të bëhet rikonstruimi i plot i asaj rruge do të mundohem maksimin ta japë edhe gjatë këtij mandati të bëjmë shumë punë që qytetarët e kësaj komune të kenë jetë më të mirë dhe më të lumtur”,- tha kandidati për kryetar të Studeniçanit nga PDSh, Azem Sadiku.
Kandidati i PDSh-së për kryetar komune në Studeniçan i njoftoi banorët e fshatit Pagarush se në rrethin e dytë ka mbështetjen edhe të BDI-së edhe të LSDM-së, dhe i ftoi që 29 tetorin ta shndërrojnë në festë për të gjithë ata që dëshirojnë që në këtë komunë të vazhdohet me punime të cilat do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetesës së tyre.
Sadiku është i bindur se ai është kandidati i cili meriton të udhëheq me këtë komunë edhe për 4 vite të tjera, pasi siç tha, katër vitet e kaluara janë dëshmi se ai premtimet nuk i ka të rrejshme, por atë që e premton edhe e realizon. (Amir Duraku, TVM2)
