Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI takime në Bogovinë, Pirok dhe Debresh
25.10.2017 16:51
BDI ka vazhduar takimet në terren në vigjilje të rrethit të dytë zgjedhor në të gjitha komunat ku BDI garon në balotazh....

Kreu i partisë, Ali Ahmeti, u ka dhënë përkrahje pa rezervë kryetarëve të ardhshëm të komunave nga radhët e BDI-së.
Mbrëmë Ahmeti qëndroi në Bogovinë, Pirok dhe vendbanimin Debresh të Gostivarit për të takuar strukturat partiake dhe qytetarët e këtyre anëve për t’i siguruar ata që BDI me të gjitha kapacitetet qëndron prapa Berzah Bejtullahu në Bogovinë dhe Nevzat Bejtës në Gostivar. Ahmeti kërkoi nga strukturat lokale në Bogovinë dhe Gostivar që ta rikonfirmojnë fitoren e madhe të BDI-së dhe të rrisin numrin e votave duke i siguruar qytetarët se oferta e BDI-së është më e mira dhe garanton zbatimin e te gjitha premtimeve zgjedhore.
Stabiliteti dhe demokracia janë vlera për të cilat jemi angazhuar mjaft dhe do të angazhohemi edhe më tej, tha Ahmeti, para banorëve të Bogovinës, duke shtuar se të gjitha energjitë dhe kapacitetet i kanë në dobi të së mirës. Ai tha se programet që i paraqesim u dalim zot, ndërsa vlerësoi se oponentët edhe në këtë anë kanë dalë pa programe e pa vizione për të ardhmen. “BDI-ja ka punuar e po punon për qëndrueshmëri politike në shkallë vendi dhe kjo është garanci se puna e pushtetit lokal gjatë mandatit të ardhshëm ka për të qenë edhe më e suksesshme.
“Nga ky partneritet që kemi ndërtuar tani më pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2016, koha po dëshmon që për shumë projekte dhe procese jemi dakorduar dhe pas përfundimit të këtij cikli zgjedhorë sigurisht se ka shumë tema për të cilat do të merren vendime të mëdha por edhe vendime që kërkojnë guxim dhe unë këtë guxim e shoh në këtë partneritet që është ndërtuar”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Para banorëve të Bogovinës kandidati për kryetar të komunës së Bogovinës, Berzah Bejtullahu, theksoi se programin e tij e ka hartuar në konsultime me banorët e Bogovinës. Ai tha se do të vazhdojë fuqishëm të realizojë programin e hartuar, të cilin e quajti “Kontratë me qytetarët”. Bogovina nuk i harron vlerat dhe të mirat që i janë bërë deri më tani, pasi punët e mëdha i bën BDI.
“Bogovina më datën 15 e tregoi rezultatin sepse Bogovina kurrë nuk i harron vlerat dhe të mirat. Andaj ju ftoj edhe këtë pak ditë që na kanë ngelë të punojmë, t’i ftojmë dhe falënderojmë ata që na përkrahin, por edhe ata që akoma hamenden t’i ftojmë se punët e mëdha bëhen në BDI. Të bashkohen me ne, të na votojnë ne, sepse askush nuk do të zhgënjehet nga vota që do ta japë për BDI-në. Faleminderit që jeni prezentë dhe punët që i bëni, por fitorja do të jetë e juaja”,- u shpreh kandidati për kryetar komune në e Bogovinës – BDI, Berzah Bejtullahu.
Para banorëve të Bogovinës, Ahmeti tha se me këtë mobilizim e sheh fitoren e radhës të BDI-së më 29 tetor.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
